Policia ka marrë në pyetje 4 të rinjtë, të cilët u arrestuan të martën për vrasjen Marvi Mihalit.
Mësohet se fillimisht viktima dhe Dejvi Bitraj janë konfliktuar në telefon për shkak se celulari që Mihali kishte blerë ishte me probleme.
Bitraj pretendon se është ofenduar gjatë telefonatës. Ata kanë lënë të takohen për t’u sqaruar në vendin ku ndodhi vrasja, por sipas të arrestuarve, edhe aty Marvi Mihali i ka ofenduar.
Sipas deklarimeve të bëra përpara hetuesve, ata janë shprehur se nuk kanë dashur ta vrasin 22 – vjeçarin.
Mes tyre fillimisht ka nisur një përleshje fizike, ndërsa 24 – vjeçari Eugen Bitraj e ka qëlluar me thikë në zemër. Si pasojë, Marvi Mihali ka gjetur vdekjen e menjëhershme, pasi i është dëmtuar aorta.
Policia ende nuk ka gjetur armën e krimit, e cila dyshohet se është hedhur nga autori në lumin e Lanës, gjatë largimit nga vendi i krimit.
Mësohet se prokuroria do të kërkojë masën e sigurise arrest me burg për Eugen Bitrajn, Dejvi Bitrajn, si dhe Kridens e Marsel Allën.
4 të rinjtë priten të dalin të enjten para gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë.





