Urim Zuna, pas 17 vjetësh që punoi në ishullin e Kretës në Greqi, vendosi të kthehej në atdhe. Të gjitha kursimet e tij të një jete të tërë i investoi në blerjen e mjeteve lundruese e argëtuese. Investoi 150 mijë Euro në blerjen e mjeteve ujore argëtuese për pushuesit.
Bleu motorë uji, një skaf, disa parashuta. Vetëm skafi i kushtoi 50 mijë Euro, ndërsa parashutat që nisen nga skafi në det kushtojnë rreth 5 mijë Euro. Bleu 8 motorë uji, prodhim i viteve të fundit, të cilët komandohen nga distanca deri në 3 kilometra. Ka siguruar 12 punëtorë, që kanë eksperiencë pune, e për të cilën paguhen mirë në këtë aktivitet. Kundrejt të gjitha ligjeve në fuqi i licencoi mjetet dhe i siguroi punëtorët.
Por Urim Zuna prej 10 ditësh nuk ka mundur të ushtrojë aktivitetin e tij, për të cilin ka investuar të gjithë jetën. Është vënë në dilemë të madhe sepse në pikun e sezonit veror, policia i ka bllokuar aktivitetin pa një shkak konkret. Ka mbetur në dilemë dhe nëse vazhdon kështu, emigranti është i detyruar të kthehet të punojë sërish në Kretën e largët, sepse në vendin e tij, nuk mundi dot të bëjë biznes.
Zuma ka një apel: ai kërkon vetëm çka është legjitime e themelore për të mbrojtur të drejtat e tij si individ e sipërmarrës. “Unë i përgjigjem shtetit, por shteti nuk më përgjigjet mua! Pse ndodh kjo? Pse më pengojnë të punoj?”
Ndjekim intervistën e ish-emigrantit.
K.H.





