Partia Demokratike përmbylli në korrik zgjedhjet për kryetarin e ri, por atë e pret një tjetër proces, ai për zgjedhjen e kupolës drejtuese.
Pas zgjedhjes së kryetarit të ri të PD-së, selia blu pritet të nisë analizën e humbjes së thellë të 25 qershorit.
Duke ju referuar BalkanWeb, pritet që PD të ndryshojë edhe kupolën drejtuese të saj, pavarësisht se nënkryetarëve, sekretarit të përgjithshëm dhe atij organizativ nuk u ka skaduar ende mandati.
Zyrtarisht atyre u përfundon në nëntor të 2018-ës, por mësohet se mandati do u ndërpritet, duke nisur nga dy nënkryetarët Edi Paloka dhe Edmond Spaho, Sekretari i Përgjithshëm Arben Ristani si dhe sekretari Organizativ Enno Bozdo.
Në këtë kohë përfundon edhe mandati i drejtuesve të departamenteve dhe sekretariateve shumë prej të cilëve i dolën kundër Lulzim Bashës për zgjedhjet në parti. Megjithëse nuk ka ende një vendim zyrtar në selinë blu, kanë nisur të qarkullojnë emrat e parë për postet e lartë në PD.
Edi Paloka, i cili aktualisht mban postin e kreut të grupit përflitet të rikonfirmohet në këtë post për një mandat të dytë, megjithëse Edmond Spaho dhe Grida Duma qarkullojnë si emra që mund ta sfidojnë për drejtimin e grupit të ri parlamentar.
Paloka doli deputet në legjislaturën 2017-2021, pasi u rendit i treti në listën e kandidatëve të qarkut Durrës, ndërsa Duma, pasi kandidoi në vitin 2015 përballë Vangjush Dakos për postin e kryebashkiakut të Durrësit (ku humbi me diferencë të thellë votash), u përfshi në zgjedhjet e 25 qershorit në listën e kandidatëve të Tiranës.
Ndërkohë, Arben Ristani nuk do të mbajë më postin e Sekretarit e Përgjithshëm, ndërsa për këtë pozicion të rëndësishëm përfliten Gent Strazimiri dhe Ervin Salianji, raporton “BalkanWeb”.
Në postin e Sekretarit Organizativ thuhet se mund të rikthehet Flamur Noka, ndërsa për postin e nënkryetarit, emrat e përfolur janë ai i Tritan Shehut dhe Aldo Bumçit. Me përmbylljen e procesit të zgjedhjes së kryetarit të ri, Partia Demokratike futet në një fazë të re të ristrukturimit te partisë.





