Pas gati një muaji takimesh me banorë të lagjeve të ndryshme të qytetit të Durrësit dhe njësive administrative nën varësinë e Bashkisë, kryebashkiaku Vangjush Dako ka njoftuar sot në profilin e tij në Facebook përfundimin e turit të dëgjesave publike.
“Në këtë mandat të dytë qeverisës, çdo shqetësim dhe problem i ngritur nga banorët do të jetë prioriteti ynë për përmirësimin dhe zgjidhjen e tyre”shkruan Dako.
Ndërkohë disa nga komentuesit duket se kanë ende ankesa për të parashtruar para kryebashkiakut dhe të zgjedhurve socialistë që do t’i përfaqësojnë në Kuvendin e Shqipërisë.
Kanalizimet e hapura të ujërave të zeza në ish-Kënetë dhe djegia në qiell të hapur e mbeturinave në Porto Romano janë disa nga shqetësimet e ngritura nga qytetarët,
“Nese nuk ndalon djegien e plerave ne Porto Romano,jo vetem te gjallet nuk i ke degjuar,por as te vdekurit nuk po i respekton, ngjitu mbremjeve mbi kryet e te dashurve tuaj e shiko se cfare bejne te gjallet qe ata lane pas, tymnaje mbi ta!!!! Turpi yne i perbashket!!!”, i shkruan një qytetare Dakos.
Ndërsa të tjerë e ftojnë të kalojë nga lagja e tyre për t’u njohur nga afër me problematikat e qytetarëve të tij, të cilët ka zgjedhur t’i drejtojë për të tretin mandat rresht.
Postimi i plotë i Vangjush Dakos
Përfunduam turin e dëgjesave publike me qytetarët në të gjitha njësitë administrative të Bashkisë Durrës. Në këtë mandat të dytë qeverisës, çdo shqetësim dhe problem i ngritur nga banorët do të jetë prioriteti ynë për përmirësimin dhe zgjidhjen e tyre.
#BashkëqeverisjaMeNjerëzit
#PërShqipërinëQëDuam





