Lirimi i Ismail Morinës është kthyer në prioritetin e Federatës Shqiptare të Futbollit. Shefi i Administratës në institucionin e futbollit, Denis Bastari zbuloi angazhimin maksimal që çështja të zgjidhet në mënyrën më të mirë të mundshme, sepse pas ndalimit në Kroaci, tifozi kuqezi i njohur edhe si “Ballist” Morina rrezikon ekstradimin në Serbi.“Federata Shqiptare e Futbollit është duke e ndjekur me vazhdimësi dhe me shumë kujdes, pasi është një çështje e ndjeshme për të gjithë opinionin publik dhe tifozerinë shqiptare. Duam të sigurojmë të gjithë se ne si institucion sportiv, por ndjekim të gjithë hapat e nevojshëm që kjo çështje të ketë një zgjidhje sa më pozitive dhe sa më të shpejt.
Megjithatë duhet patur parasysh që gjithçka ka hapat ligjorë dhe hapat e nevojshëm që duhet të ndjekim.”Presidenti i federatës, Armand Duka mbetet në kontakt të vazhdueshëm edhe me kryeministrin Edi Rama, duke iu bashkuar institucioneve shtetërore që po punojnë për lirimin e Ismail Morinës.“Presidenti Duka është në komunikim të vazhdueshëm me kryeministrin Rama, i cili ka kontaktuar me homologun e tij kroat rreth kësaj çështje. Kemi qenë në kontakt me familjarët e Ismail Morinës dhe me avokatin e tij, vazhdojmë ta monitorojmë nga afër situatën. Kryeministri i vendit ka garantuar presidentin Duka që po bën përpjekjet maksimale nëpërmjet qeverisë që drejton dhe vetë personalisht, që kjo situatë të përfundojë me sukses dhe zoti Ismail Morina të lirohet sa më shpejt që të jetë e mundur.”Angazhimi i drejtë për drejtë konfirmohet edhe nga prezenca e një personi të specializuar të federatës pranë avokatit dhe familjes së tifozit, por edhe me nëpunësit juridikë të shtetit kroat.“Ne kemi dërguar një person të specializuar. Në momentin që po flasim ai ndodhet në Kroaci, ku është në kontakt me avokatin e zotit Morina, me familjarët e tij dhe gjithashtu me persona të sektorit juridik të shtetit kroat. Nga ana e FSHF është vendosur në dispozicion e gjithë asistenca e nevojshme, deri ku na lejon edhe ligji, që kjo çështje të mbyllet me sukses. Është një çështje mjaft delikate që kërkon pjekuri dhe maturi nga ana e të gjithëve.”