*Historia e atentatit ndaj Endri Çaushajt (nipi i “Renit”) dhe Ervin Kodrës pranë Torrës
Të shtëna me armë zjarri kanë tronditur qytetin e Vlorës mbrëmjen e së dielës rreth orës 21:15, kur një personi i është bërë atentat në një lokal pranë Lungomares.
Policia e Shtetit bëri të ditur se në drejtim të vendit ku u dha njoftimi kanë shkuar forca të shumta policie. Aty është konstatuar se Marjen Xhaferaj, i njohur edhe si Marjen Omeri 37 vjeç, është qëlluar me armë zjarri, për pasojë ka ndërruar jetë. Sipas policisë, viktima ka qenë në lokal i ulur me një tjetër person. Në drejtim të tij është afruar një person i cili e ka qëlluar me armë zjarri. Autori është larguar më këmbë mes pallateve. Policia thotë se ka ngritur menjëherë pika të shumta kontrolli dhe në ndihmë të Policisë së Vlorës për kapjen e autorit kanë ardhur Delta Forcë e FNSH. Policia thotë se vijon krehja e zonës për të bërë të mundur kapjen e autorit. Në vendngjarje janë sekuestruar disa gëzhoja ndërsa disa metra më tutje është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri pistoletë që dyshohet se ishte e Marjen Xhaferajt. Policia thekson se viktima ka ndërruar emër e mbiemër dhe rezulton me precedent kriminal. Vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.
Edhe pse viktima e djeshme në Vlorë është me precedent kriminal, sipas policisë, fakti i vetëm që e lidh këtë ngjarje është pikërisht vrasja e 20 dhjetorit të vitit 2015 në afërsi të ish-Vollgës. Aty u ekzekutuan me kallashnikov dy të rinj, njëri prej të cilëve mësohet se është djali i motrës së Marjen Xhaferajt, i cili u ekzekutua mbrëmë. Aso kohe u fol shumë në lidhje me atë ngjarje, aq sa vetëm dy javë më vonë vendi do të tronditej nga një tjetër ngjarje; rrëmbimi, masakrimi dhe vrasja e Gaz Çollakut, vrasje që në fakt u lidh gjithnjë me vrasjen e dy djemve, Ervin Kodra dhe Endri Çaushaj. Sipas të dhënave të para, mësohet se mbrëmjen e djeshme menjëherë ekspertët e policia kanë nisur verifikimin e ditëve të fundit të Marjen Xhaferajt për të kuptuar se çfarë kishte bërë apo nëse ishte kërcënuar. Njëkohësisht janë sekuestruar telefonat celular dhe një sërë pamjesh filmike. Njeriu i parë që ka rrëfyer gjithçka ka ndodhur në atë moment ka qenë njeriu që ka qenë në tavolinë me të, ndërkohë që ka thënë se personi ka qenë i maskuar me kapuç dhe se është nisur në këmbë në drejtim të pallateve. Janë dhënë të dhëna konkrete në lidhje me paraqitjen e tij fizike, ndërsa bëhet me dije se shpejt policia mund të ketë një identikit të vrasësit të mbrëmshëm. Policia dhe prokuroria kanë hapur dosjet e vjetra të Vlorës dhe vlonjatëve për të mësuar se ku mund të ketë qenë i përfshirë viktima e mbrëmshme e po ashtu bëhet me dije se në fokus është edhe çështja e vrasjes së nipit të tij në Durrës.
Plot 33 herë u qëllua në drejtim të makinës ku udhëtonin Ervin Kodra dhe Endri Çaushaj të cilët kanë mbetur të vdekur në vend. Atentati ndodhi mbrëmjen e së dielës (20 dhjetor 2015) rreth orës 20:45 në lagjen numër 3, pranë hyrjes së Portit të Durrësit. Autorët, ende të paidentifikuar, kanë pritur momentin kur dy të rinjtë, Ervini nga Durrësi dhe Endri nga Vlora, kanë hipur në makinë për të qëlluar më pas në drejtim të tyre. Ervin Kodra 28 vjeç dhe Endri Çaushaj 25 vjeç kanë marrë plagë në kokë dhe në gjoks. Ndonëse u ngritën postblloqe askush nuk u kap për atë ngjarje e madje askush nuk tha kurrë se përse ndodhi ajo ngjarje. Pak kohë më vonë doli versioni se vrasja ishte kryer për shkak të pazareve të drogës, më pas u tha se Kodra kishte pjesë edhe në “Vollgën” e famshme për të cilën gjenden në gjyq Emiljano Shullazi dhe një sërë personash të tjerë. Por asnjë e dhënë nuk solli ndonjë ndryshim të çështjes së vrasjes së dy të rinjve, njërit prej të cilit i vritet edhe daja në Lungomare!





