Nga Artan Fuga

E njoh psikologjinë e njeriut që vjen për punë ose pushime larg vendlindjes së tij. Qoftë edhe kur vjen kosovari në vend të tij në territorin e Shqipërisë.

Psikologjia e njeriut nuk shfaqet te fjalët, por te gjuha e trupit. Te lëvizja.

Kur eci me veturë rrugës së plazhit bëj kujdes që sidomos individëve burrë a grua, që kalojnë tej e tej, t'u le rrugën.

T'i respektoj.

Ndaloj dhe sipas rregullit të kortezisë ua bëj me dorë: Lutem kaloni!

Pastaj u shoh fytyrën dhe ecjen.

Fytyra u ndriçon nga gëzimi dhe buzëqeshja u kap buzët. Kokë ulur, ecin me hap të shpejtë sikur të duan mos të më vonojnë duke pritur.

Pse nxitoni? Se mos kam ndonjë punë urgjente unë?

Ndonëse është e drejta e tyre të kalojnë dhe detyra ime të pres!

Nuk janë të gëzuar se kalojnë shpejt, jo, kanë kohë boll, por sepse ndihen si të respektuar nga dikush me targa Shqipërie në Shqipëri. Atje ku ne të këtejshmit bëjmë pak si gjela pulastreni a thua se e kemi me tapi tokën, detin, rërën, diellin.

Nga ai gëzim, ndjej se ata të urtët ndihen pak si të ndrydhur në plazhet tona. Ndryshe ai gjest nuk kishte se përse t'u bënte përshtypje.

Hajdeni kosovarë në plazhet tona!

Janë edhe tuajat!

Sa mijëra shqiptarë lahen e shpëlahen në plazhet e Greqisë, Italisë, e ju duhet të merrkeni leje për të ardhur në këto plazhet tona naive dhe paksa idiote!

Hajdeni për çfarë të doni dhe mos pyesni fare për ne budallenjtë dhe kokëtrashët!

Për patriotizëm, për t'u nxirë, për t'u dalldisur pas qefit të klubeve të striptizës, këndoni këngët tuaja, lahuni me rroba, me bikini, me brekushe, sipas qefit. Notoni, pllaqurisuni, vraponi, luani me top, hajdeni për seks, për çmime më të mira, për patriotizëm, kozmopolitizëm, a për komunizëm. Si ta keni qefin.

Deti Adriatik dhe Jonian na bashkon ju me ne, ne me ju, ne dhe ju me peshqit, gaforret, kandilët e detit, me hënën që reflektohet mbi dallgë në muzg.

Hajdeni dhe hani çfarë të keni qef, pula, këmbë bretkosash, pispili, sufllaqe, shli, sardele, ton, djathë, akullore straçateli, bëni byreqet tuaja a hani byrek durrsak, bakllava Sulltan a torta me petë, pica Erdogan a qofte te pista Vitamin Aga.

Hajdeni e mos pyesni se ne nuk jemi ata që mund t'u ftojmë ju! Nuk është prona jonë asgjë që i takon natyrës.

Dhe bëni kujdes kur ne ju kthejmë kusurin, se ju vjedhim ne, mos u mërzisni që parkojmë keq se veturave nuk dimë t'u hipim ne, nuk mbjellim lule, plehra gjithandej, madje na falni se shpesh nga që nuk dimë mirë shqip dhe nuk kuptojmë gjithçka kur ju flisni shqipen e bukur dhe jo atë të katundit tonë.

Madje edhe kur ca si unë u hapin udhën, as mos e kuptoni si nder, por si një të drejtën tuaj.

Kaloni kosovarë!

Kaloni çamë!

Kaloni kavajas!

Kaloni gjirokastritë!

Kaloni tetovarë a çfarë të jeni nga Struga, Ohri, Gostivari!

Shyqyr që nuk jemi vetëm!

Mos na lini vetëm se jemi depresivë ne dhe nga vetmia vrasim shpesh edhe veten!

Hajdeni dhe ikni për çfarë të doni, kur të doni, sa të doni, ku të doni!

Nuk ju uroj mirëseardhjen fare se kush jam unë që të kujtoj se jam tek unë dhe ju jeni këtu te mua???