Rreth 200 banorë të zonës së Kodër Arapajt në Durrës kanë bllokuar sërish Unazën e Plazhit pasditen e kësaj të diele.

Shkak është bërë bllokimi me trafikndarëse i kryqëzimeve rrugore që shërbenin për lëvizjen e banorëve të kësaj zone në plazhin e Durrësit.

Banorët thonë se bllokimi me trafikndarëse i kryqëzimit kryesor në plazh i ka izoluar totalisht këta të fundit, pasi mbikalimet mungojnë përgjatë këtij aksi rrugor.

Në protestë kanë marrë pjesë edhe fëmijë, të cilët mbajnë në duar pankarta me mbishkrimet që shprehin dëshirat dhe nevojat e tyre, si: “Dua të shkoj në shkollë” apo “Dua të shkoj në det”.

Ata kërkojnë nga Bashkia Durrës dhe Policia Rrugore hapjen e trafikndarësese te kryqëzimet rrugore për të bërë të mundur lëvizjen e njerëzve dhe makinave.

Kjo është protesta e dytë e banorëve të kësaj zone brenda 10 ditëve, protestë e cila shkakton dhe bllokim të trafikut, i cili në këtë periudhë është në pikun e tij, pasi të gjithë pushuesit kthehen nga plazhi.

Policia Rrugore bllokoi rreth dy javë më parë disa prej kryqëzimeve në zonën e Shkozetit, plazhit e ish-Kënetës me qëllim shmangien e aksidenteve rrugore.