Ka ndërruar jetë pas mesnate Besnik Zejnuni, pronari i resortit në Velipojë, që u përfshi nga flakët dy ditë më parë.
55-vjeçari nuk mundi t’i bëjë ballë plagëve në trup. Zejnuni, pas shoqërimit me helikopter drejt Tiranës, menjëherë pas ngjarjes, u shtrua në repartin e djegieve në QSUT.
Sipas raportimeve, 55-vjeçari kishte djegie të rënda në masën 95% të trupit. Besnik Zejnuni ishte pronar i lokalit “Cavaliero” në Velipojë. Zjarri në lokal ndodhi pas rrjedhjes së gazit nga cisterna.
Një ditë më parë, mjekët thanë se duheshin pritur 24 orët e ardhshme për të parë nëse babë e bir do të dilnin nga gjendja kritike, por për fat të keq, 55-vjeçari nuk ka arritur t’ia dalë.
Si pasojë e rrjedhjes së gazit nga një depozitë e madhe në bodrum, një shpërthim ndodhi pardje në kompleksin “Fishta” në Velipojë, në katin e parë ku ndodhej një bar-restorant.
Një ditë më parë Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial ka reaguar për ngjarjen duke thënë se resorti nuk ka respektuar ligjin duke instaluar fshehur nën tokë cisternën e gazit.





