Kryeministri Rama ka zhvilluar një diskutim të gjatë me qytetarët në Korçë ditën e sotme duke dëgjuar shqetësimet e tyre. Pasi dëgjoi shqetësimet e qytetarëve, kryeministri Rama u ndal tek pikat kryesore ku do të ndalet qeverisja e tij në 4 vitet e ardhshme.

Duke u shprehur se emërimet në disa funksione në administratë nuk ishin bërë sipas arsimimit të duhur, Rama ironizoi fort LSI-në, duke na kujtuar disi edhe fabulën e La Fontenit me bretkosën që desh të fryhej sa një ka. Ai tha se ishte një parti e vogël që donte të bëhej e madhe aq sa plasi. Duke shtuar se në një drejtori Bujqësie vendosën në krye dikë që kishte studiuar për fizioterapi.

“Ajo ishte një parti e vogël që donte të bëhej e madhe. U bë e madhe aq sa plasi”, tha Rama.

“Ata vunë një masazhator në bujqësi. Ia hoqën atij që kishte nevojë për masazh dhe e çuan në bujqësi. Kujt do t’i bënte masazh ai? Domateve? Specave? Kastravecëve? Më mirë le t’i bëjë ndonjë drejtori a ministri tjetër që e vendosi”, tha Rama.