Mungesa e rojeve bregdetare është një mangësi e pushtetit vendor që vihet re në të gjithë bregdetin e Adriatikut dhe të Jonit. Mbytja e pushuesve në Vlorë, Sarandë, Durrës apo gjetkë janë ngjarje të paralajmëruara nga mediet dhe pushuesit e shumtë që kalojnë pushimet në plazhet e Shqipërisë.
Prefekti i Durrësit, Emiljan Jani, në një prononcim për DurrësLajm tha se rojet bregdetare janë shumë të domosdoshëm për të shmangur fatkeqësitë e ndryshme në det dhe për këtë qëllim do të mbledhë në në një takim të përbashkët strukturat që kanë për detyrë vendosjen e tyre.
Nga Ura e Dajlanit e deri në Shkëmbin e Kavajës, në kufi me Golemin këtë vit nuk është në funksion asnjë kullë vrojtimi për të mundësuar dhënien e ndihmës së parë në det. 12 kulla vrojtimi u hoqën nga plazhi i Durrësit, në muajin qershor të 2012, sepse ishin amortizuar dhe u shitën skeletet e tyre për skrap, me idenë se do të zëvendësoheshin me të reja, por asnjë prej tyre nuk është vendosur akoma, as në vitin 2017. Në zonën e Shkëmbit të Kavajës kullat janë në funksion por nuk ka njerëz në to.
Pushuesit
Me qindra pushues që kanë mbërritur në plazhin e Durrësit i bëjnë apel bashkisë së qytetit të vendosë në funksion rojat bregdetare për të siguruar jetën e tyre në rast nevoje, apo rreziku nga mbytja. Nëse dikush nga fëmijët apo edhe të moshuarit do të ketë nevojë për t’u shpëtuar në det nga mbytja apo edhe probleme të tjera të këtij lloji askush nuk është prezent çka do të thotë se pushuesit nuk janë të sigurt në asnjë moment bëjnë më dije shqetësimin e tyre për DurrësLajm pushuesit e shumtë. Ky realitet sjell pasiguri tek pushuesit, sidomos tek ata persona që vijnë nga Maqedonia dhe Kosova, të cilët nuk dinë not.
Megjithëse ky plazh regjistron numrin më të madhe të pushuesve në vend, ka munguar ndër vite një politikë për të krijuar standardet aq shumë të nevojshme të sigurisë, ndërkohë që çdo sezon ka regjistruar të mbyturit e vet, si pasojë e mungesës së aftësive në të notuar apo incidenteve në det.
Bashkia
Kreu i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, për këtë çështje ka thënë se bashkia nuk ka fonde për të paguar notarët që duhet të japin ndihmën e parë për pushuesit që mund të ndodhen në rrezik dhe këtë duhet ta bëjnë vetë bizneset që operojnë në vijën bregdetare.
Por ndërsa në plazhin më të madh të vendit nuk janë vendosur rojet bregdetare ata mungojnë edhe në plazhet e tjerë që kanë frekuentim po kaq të madh. Në plazhet e tjera në Shkëmbin e Kavajës, në plazhin e Gjirit të Lalëzit, në plazhin e sektorit Rinia nuk janë marrë masa gjithshtu. Gjatë sezoni veror, të shkuar është regjistruar numri më i madh i pushuesve të mbytur në plazhet e qarkut, i cili ka një vijë bregdetare prej 68 kilometrash. 12 persona kanë gjetur mbytjen në këto plazhe gjatë vitit të shkuar.
K.H.





