Inspektorët e Tatim-taksave, të policisë bashkiake, të ndërmarrjes komunale etj, kanë dalë në terren duke bllokuar çadrat e shezlonët e palicencuara, pronarët e të cilëve ushtrojnë aktivitet të paligjshëm.
Prej mëngjesit të sotëm aksioni ka nisur në zonën e Shkëmbit të Kavajës, ku inspektorët e bashkisë kanë sekuestruar dhjetëra shezlonë e çadra. Kreu i Drejtorisë së Tatim-taksave në bashkinë e Durrësit Abdyl Koka, gjatë aksionit tha se toleranca e bashkisë në drejtim të subjekteve informale është zero. Subjektet janë paralajmëruar disa ditë më parë, që të paguajnë detyrimet e tyre në bashki.
Në bregdetin e Durrësit rezultojnë të kenë 130 subjekte, nga 160 që kanë aplikuar. 80 subjekte të tjerë rezultojnë debitore dhe ndaj kësaj kategorie bëhet bllokim i mallit.
Në terren inspektorët e bashkisë kërkojnë edhe respektimin e sipërfaqjeve të përcaktura plazh publik-privat.
Plazhet e Gjirit të Lalzit të Hamallajt e të Katund Rinisë priet të jenë në ditët në vijim objekt i kontrolleve nga strukturat përgjegjëse për licencimin e tyre.
Vitin e shkuar në 2016-n, 300 milionë lekë ka mbledhur bashkia e Durrësit nga taksa e tarifa e plazheve private. Në 2015-n u mblodhën 10 herë më pak, 30 milionë lekë të vjetër tarifë e plazheve privatë, ndërsa në 2016-n këtë tarifë e paguan edhe një pjesë e debitorëve.
Tarfia e plazheve privatë u ul në 30 lekë metri katror me vendim të Këshillit Bashkiak në vitin 2016 për t’i dhënë fund abuzimeve që bëheshin në këtë drejtim. Tarifa ka qenë fikse 3 milionë lekë për 200 metra katrorë, tarifë e cila ishte e pamundur të paguhej nga subjektet të cilët paguanin nën dorë për këtë shkak.
K.H.





