Në gjykatën e shkallës së parë në Durrës ka nisur procesi gjyqësor për vrasjen e 60-vjeçarit Agim Arapi.
Me dy foto të mëdha, njërën si ishte gjallë e tjerën ashtu siç u varros nga të afërmit, të afërmit e Agim Arapit kanë marrë pjesë në gjykatën e Durrësit ku edhe nisi procesi gjyqësor, në ngarkim të autorit të dyshuar të vrasjes Kujtim Ekonomi.
Asnjë prej dy vëllezërve Kujtim e Kostandin Ekonomi, nuk ishin në sallën e gjyqit. Prokuroria liroi nga akuza Kostandin Ekonomin, ndërsa akuza u ndryshua për vëllanë tjetër Kujtim Ekonomi, nga “vrasje me dashje” në “vrasje nga pakujdesia”. Në sallën e gjyqit kanë qenë prezentë edhe familjarët e viktimës. Bashkëshortja shpërtheu në akuza sapo gjykatësi mbylli seancën gjyqësore. “Vrasje nga pakujdesia, këta po mbrojnë autorët e vrasjes, po i lirojnë nga burgu dhe ne po na vrasin dy herë!!!”
Avokati mbrojtës i kërkoi gjykatës të marrë në shqyrtim kërkesën për gjykim të shkurtuar të të akuzuarit Kujtim Ekonomi, i cili ka pranuar fajin.
Prokurori solli nëpërmjet raportit të mbajtur ngjarjen e datës 11 prill 2017, në qendër të Durrësit. Nëpëmjet këqyrjes së viktimës nga ana e mjekëve ligjorë, prokurori tha se Agim Arapi vdiq si rezultat i një grushti të qëlluar nga ana e të pandehurit Kujtim Ekonomi. Ai tha se viktima vuante nga një numër shumë i madh sëmundjesh, kardiake pneumonale, nervore, etj, nga të cilat vuante viktima dhe që kanë sjellë vdekjen e tij.
Bashkëshortja e viktimës kundërshtoi në sallë të gjyqit prokurorin e çështjes i cili i pohoi gjykatës se organi i akuzës ishte dakord më kërkesën për gjykim të shkurtuar të autorit të krimit.
Gjykatësi i çështjes Paulin Cera, vendosi që të shtyjë seancën në datën 31 korrik për të shqyrtuar kërkesën nga e cila, autorit të dyshuar i ulet një e treta e dënimit.
Shkak i vrasjes së bashkëshortit të saj u u bë një konflikt midis 23-vjeçarit Jurgen Kurti, të cilit zonja i kish kërkuar qiranë mujore prej 130 mijë lekësh të vjetër të tubit të aspirimit që kalonte nga piceria e Ekonomëve në banesën e viktimës.
Nga pamjet filmike të regjistruara nga një kamera e shtëpisë së viktimës, rezultonte se dy vëllezërit Ekonomi dhe dhëndri i tyre Jurgen Kurti ulën qepenin e dyqanit dhe qëllonin Agim Arapin. Tre vetë morën pjesë në krim, vetëm një prej tyre është në gjykatë.
K.H.





