Në Gjykatën e Krimeve të Rënda sot janë publikuar për herë të parë pamjet e rrëmbimit të Gazmend Çollakut, ngjarje e ndodhur më 6 janar 2016 në qytetin e Durrësit.

Në video duken disa persona që rrëmbejnë Çollakun sapo ai parkoi automjetin e tij. Në këto moment i afrohet një mjet tjetër nga ku dalin disa persona dhe e fusin me forcë në makinë. Pamjet nuk janë shumë të qarta dhe ka vështirësi në identifikimin e personave të përfshirë. Objektivi është në distancë të largët dhe e gjithë ngjarja ndodh në distancë të largët. Shquhen vetëm siluetat e personave por nuk dallohen as fytyrat dhe as uniformat.

Gazmend Çollaku u gjet një ditë pas rrëmbimit në fshatin Murqin të Krujës, i hedhur në anë të rrugës i vrarë me armë, dhe i lidhur këmbë e duar.

Dy personat e akuzuar nga Prokuroria për rrëmbimin dhe vrasjen e Gazmend Çollakut janë Denis Shtraza dhe ish-oficeri i policisë Ervin Dalipaj. Ky i fundit u vra në një atentat në Sukth të Durrësit më 25 prill 2017.

Në seancën e kaluar gjyqësore për rrëmbimin dhe vrasjen e Gazmend Çollakut janë paraqitur analizat e gjakut të gjetur në makinën ku ndodhej viktima dhe rezulton se nuk i përket asnjërit prej të dyshuarve, as Denis Shtrazës dhe as Ervin Dalipajt (i ndjerë). Denis Shtraza mohoi të kishte lidhje me vrasjen e Çollakut, duke thënë se me viktimën ka pasur miqësi që prej vitit 2008.

Seanca e radhës do të zhvillohet në shtator pas pushimeve verore.