Bllokimi i rrugëve dhe hapësirave publike në Durrës është kthyer në një makth të madh për të gjithë qytetarët dhe turistët në Durrës.

Kjo tolerancë abuzive në kurriz të ligjeve të shtetit, dhe të drejtave të qytetarëve të Durrësit, mesa duket ka nisur të merret në konsideratë nga autoritetet. Pas shumë ankesave të ngritura,  Policia Bashkiake e Durrësit ka nisur të lirojë hapësirat e zaptuara të qytetarëve në shëtitoren “Taulantia” në Durrës.

Prej mbrëmjes së shkuar Policia Bashkiake nuk ka lejuar karrige dhe tavolina në masë të gjerë në shëtitoren “Taulantia”, aty ku qindra në mos mijëra durrsakë kalojnë netët e nxehta të verës.

Lokalet janë detyruar mbrëmjen e shkuar që të tërheqin prej trotuareve dhe lulishteve  tavolinat dhe karriget e vendosura në kundërshtim të hapur me ligjin ‘për funksionimin e hapësirave publike’.

Restorantet, piceritë, baret dhe lokalet në zonën bregdetare, kishin zaptuar prej fillimit të  verës të gjithë rrugën e qytetarëve, duke mos u lënë as shtigje për të kaluar.

Prej disa ditësh, pronarëve të këtyre subjekteve që operojnë në shëtitore u ishte lënë afat që të lironin hapësirat dhe të hiqnin prej andej karriget e tavolinat e vendosura. Por kur nuk e bëjnë në mënyrë të vullnetshme pronarët atëherë Policia Bashkiake ndërhyn, duke ju hequr e duke i paralajmëruar për sekuestro të tyre. 

Shëtitorja “Taulantia” mbetet më e frekuentuara në verë nga të gjithë qytetarët durrsakë, të cilët në traditë të hershme kanë xhiron e gjatë buzë detit dhe marrjen e jodit të mbrëmjes. 

K.H.