Prej fundjavës së shkuar, të gjithë autobusët janë lejuar të hyjnë në rrugën “Pavarësia” e të qëndrojnë  në stacionet e tyre të dikurshme, duke sjellë dhe marrë prej aty pushuesit nga qytete të ndryshme të Kosovës.

Kreu i shoqatës së Turizmit dhe gazetarët e medieve kryesore të Kosovës, në takim me kryebashkiakun Dako:

Lajmi që përveç autobusëve nga Kosova, të gjithë autobusët e tjerë me pushues që kanë një destinacion qëndrimi, lejohen të qarkullojnë në këtë rrugë, solli reagimin e menjëhershëm të  shoqatave të turizmit në Kosovë dhe mediave kosovare në takime të ndryshme me kreun e bashkisë së Durrësit. Mediat kosovare i dhanë jehonë maksimale me kronika nga zona e plazhit, por edhe marrëveshjes së arritur midis Shoqatës së Turizmit të Kosovës që përfaqësohej nga Ruzhdi Kurtishaj dhe kreut të bashkisë së Durrësit Vangjush Dakos për lejimin e autobusëve në këtë rrugë.

Kurtishaj në fund të marrëveshjes së arritur deklaroi se takimi me kryetarin e bashkisë së Durrësit rezultoi me sukses. Ai faleminderoi ambasadorin Minxhozi dhe kryebashkiakun Dako për përkrahjen e Shoqatës së Turizmit të Kosovës për lejimin e autobusëve në rrugën "Pavarësia".

Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, priti në takim përfaqësuesit e Shoqatës së Turizmit të Kosovës. Takimi u ndërmjetësua nga ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Mingjozi.

Takimi u zhvilua pa praninë e mediave në Shqipëri, por marrëveshja është zbardhur nga mediat në Kosovë, të cilat kanë qenë pjesëmarrëse në takimin e zhvilluar.

“Telegrafi” i Kosovës  ndër të tjera shkruan:   

Ruzhdi Kurtishaj, përfaqësues i Shoqatës së Turizmit të Kosovës, tha se deri tash ka munguar një takim me kryebashkiakun, e kjo ka bërë që të vij deri tek ky keqkuptim.

 “Deri tash ka munguar një takim i tillë , ndoshta edhe kjo ka ardh deri tek një lloj keqkuptimi. Shihet qartë që është bërë një propagandë shumë e keqe sa i përket qasjes së turizmit kosovar në qytetin turistik të Durrësit. Durrësi është i gjithë shqiptarëve dhe turistëve të huaj.

“Kryetari i bashkisë së Durrësit ka sqaruar opinionin në lidhje me komentet për ndalimin që autoritetet ua kanë bërë autobusëve nga Kosova për të kaluar në rrugën “Pavarësia” në qytetin e Durrësit.

Kryebashkiaku Dako shprehu keqardhjen për zërat që thonë se diskriminohen pushuesit nga Kosova pasi sipas kryebashkiakut pushuesit nga Kosova janë turistët bazë të plazhit të Durrësit dhe ata janë të mirëpritur.

Kryebashkiaku Dako deklaroi se gjysma e rrugës “Pavarësia” është transformuar në një rrugë për këmbësorë dhe sheshe pushimi për vizitorët dhe qytetarët që jetojnë në atë zone ndaj lëvizja e autobusëve në këtë rrugë krijon kaos por kjo nuk do të thotë që ata ndalohen për të ardhur në plazh, përkundrazi- u shpreh kryebashkiaku Dako janë në dispozicion të këtyre mjeteve 5 akse që lidhen me rrugën “Pavarësia” dhe që bëjnë të mundur që pushuesit të shkojnë në plazhin e Durrësit. Plazhi i Durrësit është prej 20 vitesh, plazh i kosovarëve dhe ne do t’i mbështesim çdo vit që ata të vijnë të gjejnë një mjedis sa më të mirë në Durrës, të ndihen komod të vijnë të pushojnë në Durrës si qyteti më i mirë turistik i vendit . Të jeni të sigurt se gjithë thashethemet e përhapura në media janë dashakeqe për të larguar turistët e Kosovës nga Durrësi. Por realiteti është tjetër, realiteti është që ne i mirëpresim turistët kosovarë në Durrës”, tha Dako.

Ndërkohë kryebashkiaku u ka bërë thirrje gjithë qytetarëve të Kosovës që ta vizitojnë qytetin e Durrësit.

“U bëj thirrje gjithë qytetarëve të Kosovës të vijnë ta vizitojnë Durrësin, sepse këtë vit plazhi i Durrësit është më i pastër, nuk ka derdhje të ujërave të zeza në det, ka furnizim me ujë të bollshëm dhe të mjaftueshëm për turistët, ka furnizim me energji elektrike 24 orë etj. Kemi një situatë të përmirësuar të infrastrukturës dhe kemi rrugën ‘Pavarësia’ që është kthyer jo vetëm në rrugë urbane po edhe në një hapësirë publike shëtitore për ta , për të gjetur një jetë më të mirë turistike”,- tha Dako.

Kreu i shoqatës së Turizmit të Kosovës thotë gjithashtu: “Ne sot , nga ky moment nuk kemi asnjë problem sa i përket hyrjes së turistëve kosovarë në Durrës. Nuk besoj që ka pasur problem, por ka qenë një keqkuptim sa i përket hyrjes, përkatësisht shenjës së komunikacionit e cila është vendosur që më herët në hyrje të qytetit turistik të Durrësit”, tha Kurtishaj.

Ai tha se do të kenë qasje edhe nga tranziti që vjen nga vendi i quajtur “Plepat” deri tek “Florida”.

 “ Kosova Press”, “Klan Kosova”, ” Koha . Net”  “Telegrafi” etj, i dhanë një rëndësi të veçantë situatës duke dërguar gazetarët e tyre në Durrës , për t’u njohur nga afër me problematikën e krijuar.

K.H.