Dy tragete me pasagjerë të linjës Bari-Durrës janë një orë e gjysmë me vonesë në portin e Durrësit. Shkak sipas Kapitanerisë së portit detar, është bërë mjegulla që përfshiu gjirin e Durrësit që prej orëve të para të mëngjesit.
Kapitaneria bëri me dije për “DurërsLajm” se manovrimi i mjeteve lundruese është i vështirë në një mot me kushte të tilla, dhe për këtë arsye u pezullua ankorimi i tyre. Edhe për anijet e tjera të peshkimit ishte e njëjta problematikë.
Kapitaneria dha leje që tragetet të ankoroheshin në port pas orës 09:00 të mëngjesit.
Mjegulla është një fenomen natyror i rrallë në Durrës, por kur bie, shkakton probleme në lëvizjen e mjeteve lundruese.