Tregtarët e tregut të fruta-perimeve në Durrës kanë pezulluar sot punën dhe janë hedhur në protestë.
Shkak i protestës është bërë konkurenca e pandershme nga shumë tregtarë të palicensuar, që kanë zaptuar rrugët përreth tregut, ku shesin produktet e tyre dhe u marrin klientelën tregtarëve të licencuar nga bashkia.
Protestuesitkërkojnë që bashkia të marrë masa për të larguar nga trotuaret tregtarët e paligjshëm, të cilët krahas konkurencës së pandershme krijojnë probleme në qarkullimin e automjeteve dhe këmbesorëve.
Sipas tregtarëve, ata e kanë ngritur prej kohësh këtë shqetësim, por bashkia nuk ka marrë asnjë masë.
Në disa raste, policia bashkiake ka gjobitur apo larguar shitësit ambulantë që shesin jashtë tregut, por një apo dy ditë më pas ata janë rikthyer sërish në trotuar.
Në tregun e fruta perimeve në Durrës ushtrojnë aktivitetin e tyre rreth 500 tregtarë të ligjshëm, por pothuajse 500 persona të tjerë kanë zaptuar trotuaret e qytetit bregdetar duke krijuar nje situatë kaotike, duke tregtuar produktet jashtë çdo standarti higjenik dhe duke u bërë konkurencë të pandershme shitësve brenda tregut.
K.H.





