Prefekti i qarkut Durrës Emiljan Jani organizoi një tryezë të përbashkët për të diskutuar me institucionet në varësi për fëmijët në situatë rruge.
Ky takim vjen në kuadrin e bashkëpunimit të të gjitha institucioneve të qarkut për të minimizuar fenomenin e këtyre fëmijeve, që në sezonin turistik bëhet shqetësim për komunitetin
Në këtë takim morën pjesë n/Kryetari i bashkisë z.Florian Tahiri, shefi i komisariatit te policisë z.Sajmir Duro, drejtorë të sektorëve përkatës të Bashkisë, shërbimit social shtetëror, shëndetit publik dhe specialistë të fushës.
Nga diskutimet e të pranishmëve rezultoi se pjesa më e madhe e këtyre fëmijëve janë të komunitetit rom. Megjithëse bashkia për fëmijët që janë nga Durresi ka ngritur kampe verore, problem shqetësues mbeten fëmijët e komunitetit rom që vijnë nga rrethet dhe që përqendrohen në disa pika siç janë sheshi i trageteve, Ura e Dajlanit, sheshi ‘Liria’ etj.
Në këtë takim u arrit në konkluzionin që është e nevojshme marrja e disa masave konkrete si: ngritja nga bashkia Durrës e një taskë-force e cila do të hartojë një program të veçantë ku do të përfshihen të gjithë aktorët, të vendosen pikat e kontaktit për një bashkëpunim më të frutshëm, të forcohet bashkëpunimi me policinë e shtetit për të vendosur para përgjegjësisë prindërit e këtyre fëmijëve.
Gjatë kësaj periudhe gjithashtu do të ketë dhe aksione nga grupet e terrenit për të parë nga afër situatën.





