Ndalimi i kalimit të autobusëve me pushues nga Kosova, në rrugën “Pavarësia”, Durrës, ka sjellë shumë reagime. Disa e kanë quajtur një diskriminim që po ju bëhet turistëve nga Kosova, madje të revoltuar, kanë bërë thirrje për të bojkotuar plazhin e Durrësit.

Ndërkohë, kryetari i Bashkisë, Vangjush Dako është shprehur se autoritetet e Durrësit kanë vendosur devijimin e trafikut për autobusët që vijnë nga Kosova, meqë shumica nuk kanë një destinacion të caktuar, por ndalojnë jashtë stacioneve, në çdo kënd të qytetit duke shkaktuar pengesa në komunikacion dhe në lëvizjen e turistëve dhe të qytetarëve.

Kryetari i Unionit Turistik Rrahman Kasa, thotë për dritare.net se fajtorët kryesorë në këtë kaos janë agjencitë turistike në Kosovë, të cilat duhet të bashkëpunojnë me hotelet në Durrës, për akomodimin e turistëve.

“Unë si Kryetar i Unionit Turistik Shqiptar, kam bërë takime me kryetarin e Bashkisë, z.Dako dhe ia kam shpjeguar situatën e se kjo është në dëm të turizmit shqiptar. Ai ka thënë që kompanitë e licencuara për transport turistik, të vijnë e të marrin një autorizim në Bashki për të mundësuar kalimin. Faji i këtij moskoordinimi me autoritet në Durrës, është i agjencive turistike në Kosovë. Ata duhet të sjellin kompani të licencuara për transport turistik, të cilat duhet të kenë një certifikatë për transport turistik ndërkombëtar. Autobusët që vijnë nga Kosova nuk janë autobusë turistikë, ato mbushen, si puna e atyre makinave ngarkim, shkarkim, edhe vijnë i sjellin këtu. Më pas janë turistët që lëvizin e akomodohen ku të gjejnë apartamente të lira. Nuk janë të organizuar, siç vijnë turistët nga Polonia, Çekia, Sllovakia etj".

Ndërkohë gabimi i autoriteteve në Durrës, është vendosja e tabelës nga Ura e Dajlanit tek Plepat, e cila nuk lejon kalimin e mjeteve me mbi 8 vende. Për Kryetarin e Unionit Turistik, zgjidhja e duhur për të shmangur trafikun në atë segment, është zgjatja e rrugës dhe jo lënia me nga një korsi kalimi.

“Gabimi i autoriteteve qëndron te vendosja e tabelës, e cila përfshin një segment nga Ura e Dajlanit tek Plepat, apo e anasjelltë. Në të cilën thuhet, ndalohet qarkullimi dhe kalimi i mjeteve me mbi 8 vende. Dhe kjo tabelë është për të gjithë autobusët që vijnë, si shqiptarë edhe të huaj. Zgjidhja e duhur për të shmangur trafikun në atë segment, është zgjatja e rrugës, nuk duhej të ishte bërë ngushtimi i saj. Ndërkohë, unë kam pasur kontakte edhe me Shoqatën e Turizmit në Kosovë, me agjencitë, me gazetarët atje. Problemi është se ata e interpretojnë pak gabim, këtë situatë. Për ta është një diskriminim kjo që po bëhet, por përderisa aty ka një tabelë, e vendosur në mënyrë ligjore, nuk është një diskriminim.”

Spostimin e kalimit të autobusëve, në rrugën dytësore mbi kanal, ose në Unazën që lidh zonën e Shkozetit me Plazhin, Kasa e quan një zgjidhje të përkohshme, pasi edhe kjo nuk është në favor të pushuesve.

“Ajo nuk është zgjidhje përfundimtare, është kalimtare sepse vërtetë janë disa akse paralele që mund të futen turistët, por ata njësinë akomoduese mund ta kenë goxha larg. Dhe në një situatë të tillë, atyre iu duhet të tërheqin valixhet, të shkojnë në këmbë. Zgjidhja është organizimi me shoqëritë e licencuara, të shkojnë e të marrin leje për të kaluar në rrugën kryesore. Zgjidhje tjetër nuk besoj se ka.”

Edhe pse vitet e fundit Shqipëria, është kthyer në një nga destinacionet e preferuara të pushuesve nga Evropa Qendrore, përsëri turistët nga Kosova përbëjnë numrin më të lartë të vizitorëve gjatë sezonit turistik. Kasa bën thirrje për t’i kushtuar një vëmendje të madhe turistëve, duke krijuar infrastrukturat e duhura, për t’i plotësuar nevojat gjithsecilit.

“Turistët nga Kosova janë të shqetësuar sepse duke qenë se vitet e fundit në Shqipëri, kanë ardhur shumë turistë nga Evropa Qendrore, për të cilët çmimet janë normale, madje janë të gatshëm të paguajnë më tepër. Ndërkohë, pushuesit nga Kosova, kërkojnë oferta më të ulëta. Ndaj duhet të krijohen kushtet e favorshme për t’ia plotësuar nevojat të gjithë pushuesve. Rëndësia e ardhjes së pushuesve nga Kosova është shumë e madhe, pasi numri më i lartë i turistëve në Shqipëri, janë pikërisht ata. Apartamentet në Durrës më tepër mbushen me turistë kosovarë. Janë diku te 1 milion e 200 mijë veta ndoshta edhe më shumë. Sado që ata nuk shpenzojnë sa një turist nga Evropa, përsëri numri i lartë i vizitorëve nga Kosova, ka një ndikim shumë të madh në ekonominë e vendit tonë.” /dritare.net