Arrestimi i djeshëm 38-vjeçarit Dario Myftiut në Durrës është bërë paralel me një aksion të policisë italiane në Padova, që ka arrestuar edhe tetë persona të tjerë, të gjithë shqiptarë.
Të gjithë këta, pjesë e bandës që trafikonte drogë të udhëhequr nga Dario Myftiu. Për arrestimit e tij, policia bashkëpunoi me Interpol-in, duke ekzekutuar urdhër-arrestin e Gjykatës ës Padovës, e dhënë me datë 06.07.2017, raportojnë mediet italiane.
Hetimet
Hetimet e autoriteteve italiane nisën në vitin 2015 pas arrestimit të një shpërndarësi droge në Itali me 500 gr heroinë dhe një palë çelësa. Hetuesit arritën që falë çelësave, të arrinin te një apartament që përdorej si një magazinë droge.
Aty, u gjetën 60 kilogramë marijuahnë, 10 kilogramë heroinë dhe 1 kilogram kokainë. Arrestimet dhe sekuestrimet vijuan në muajt në vijim, kur grupit iu gjetën edhe 800 gr kokainë, 2.4 heroinë dhe 165 mijë euro.
Sipas grupit të hetuesve, grupi ishte në gjendje për të blerë dërgesat e drogës duke paguar më shumë se 15 mijë euro çdo herë.
Organizata kishte një strukturë piramidale. Shpërndarësit e vegjël të drogës nuk e njihnin udhëheqësin, i cili urdhëronte nisjen e ngarkesave të drogës dhe kishte vetëm dy bashkëpunëtorë të ngushtë.
Mënyra se si funksiononte banda është zbuluar përmes shënimeve të drogës që janë sekuestruar, ku shkruheshin urdhrat dhe mbahej kontabiliteti.





