Vendosja e kullave të vrojtimit dhe shpëtuesit e plazhistëve janë një domosdoshmëri në plazhin e Durrësit, më i populluari në vendin tonë. Kreu i bashkisë, Vangjush Dako, tha se subjektet private që operojnë në plazhin e Durrësit kanë detyrimin ligjor t’i vënë në funksion këto kulla vrojtimi, por çështja çalon tek mungesa e personave të licencuar për të kryer këtë shërbim.
“Përsa i përket rojeve bregdetare kemi lidhur marrëveshje me plazhet private për t’i vendosur ata kullat e vrojtimit në vijën bregdetare, çdo 300m. Por është e vështirë sepse duhet të ketë roje të licensuara, njerëz me eksperiencë në këtë drejtim. Shpresojmë që këto ditë t’i vendosim në të gjithë vijën bregdetare të Durrësit”, tha Dako.
Mbytjet e pushuesve në plazhet e vendit tonë kanë qenë të shpeshta. Rasti më tragjik u regjistrua të shtunën e kaluar, kur 4 të rinj humbën jetën si pasojë e detit të trazuar.
K.H.





