Skuadra e Teutës është në Itali ku do të zhvillojë fazën përgatitore. Por para nisjes për këtë fazë në kampin durrsak ka pasur zhvillime të papritura, ku bie në sy largimi i Tarik nga Teuta. Serbo-boshnjaku nuk do të jetë më pjesë e skuadrës së drejtuar nga trajneri Magani duke e mbyllur aventurën me durrsakët.

Ish-mesfushori i “djemve të detit” në fundin e sezonit u dëmtua dhe kjo gjë bëri që dhe drejtuesit të shikojë për alternativa të tjera. Por largimi i tij kishte të bënte edhe me numrin e limituar të lojtarëve të huaj që lejohen në ekip. Pas largimit nga Teuta, Tarik u shpreh se mbyllja e kontratës nuk është një gjë e mirë, por të paktën ka ende kohë për të parë alternativa të tjera.

“E mbyll këtu aventurën time me ekipin e Teutës. Dua t’i falënderoj të gjithë për mbështetjen, kryesisht trajnerin për mbështetjen që më ka dhënë. Uroj që të punoj përsëri me Maganin, pasi është njeri dhe profesionist i përkryer. Iki me përshtypjet më të mira dhe uroj që djemtë të jenë në formë për sezonin e ri. Tashmë duhet të shikoj për ndonjë mundësi tjetër, pse jo edhe në Shqipëri. Do të ishte kënaqësi të luaja përsëri këtu”, u shpreh mesfushori serbo-boshnjak.