Do t’i kalojë një tjetër kandidati mandati i të ndjerit ish-deputet i Partisë Demokratike, Gjovalin Kadeli, i larguar prej saj për t’iu bashkuar Lëvizjes Socialiste për Integrim. Edhe pse mandati i ish-deputetit skadon ligjërisht në muajin shtator, Kuvendi ka njoftuar vakancën në KQZ dhe ky institucion pritet t’i japë Partisë Demokratike një mandat në Lezhë. Kadeli ishte numri 5 i PD-së në Lezhë dhe pasuesi i tij në listë është Artan Bushi.
Ndërkohë që Bushi, në një shkresë drejtuar KQZ-së, ka refuzuar marrjen e mandatit që është i vlefshëm për një muaj. KQZ ka vijuar me pasuesin e listës së zgjedhjeve të 2009-s, duke ia propozuar këtë mandat kandidatit të 7-të në listë që është Zef Maçi. Ky i fundit rezulton të jetë dënuar në vitin 2001 për pjesëmarrje në tubime të paligjshme, i dënuar me 5000 lekë gjobë, por sipas KQZ-së nuk e pengon të marrë mandatin e Gjovalin Kadelit, shkruan “Panorama”.





