Prefekti i i Durrësit ka lëshuar kritika të ashpra në mbledhjen e shtabit të emergjencave civile. Vëmendja e prefektit është përqendruar tek djegia e automjeteve në rrugë. Vetëm në ditët e fundit, në qytetin bregdetar janë djegur plot 4 automjete, një prej të cilëve në mes të Durrësit dhe në mes të ditës.

“Rreziku është real dhe vëmendje e madhe duhet t’i kushtohet makinave të parkuara të turistëve në resortet turistike. Në rast të djegies së një makine, flakët përhapen e djegin shumë të tjera. Të merren masa konkrete në këtë drejtim, sepse detyrat nuk janë vetëm të shërbimit zjarrfikës dhe të policisë, por duhet koordinuar puna me të gjitha strukturat e tjera”, nënvizoi prefekti, i cili mblodhi shtabin e emergjencave civile, me qëllim parandalimin e zjarreve.  

Në këtë takim, prefekti Emiljan Jani ka tërhequr vëmendjen përsa i përket mos koordinimit të mirë të punës të strukturave të lajmërimit të rasteve të emergjencave dhe ka paralajmëruar vënien para përgjegjësisë të kujtdo që neglizhon në këtë drejtim.

Në takim është folur konkretisht mbi situatën e vështirë të krijuar deri në zonat periferike të qarkut të Durrësit, si në zonën e fshatit Grepksë dhe Krastë të Krujës.

Në mbledhje janë dhënë edhe detyra konkrete për rritjen e gatishmërisë së strukturave si dhe funksionimin e zinxhirit të njoftimeve emergjente në kohë reale, në çdo vatër zjarri.

Në shtabin e emergjencave civile në prefekturë u përcaktuan detyra konkrete për administratorët zonalë për mobilizimin e strukturave civile ndaj zjarreve të shkaktuara kohët e fundit.