Policia spanjolle ka arrestuar sot në mëngjes në një aksion antikorrupsion që kishte si objektiv shkeljet në Federatën Spanjolle të Futbollit edhe presidentin e këtij istitucioni, Angel Maria Vijar, si dhe djalin e tij, Gorka. Mes emrave që kanë përfunduar të shoqëruar në komisariatet e policisë në gjithë Spanjën, ishte edhe zëvendëskryetari i Komisionit të Financave në Federatë, si dhe shumë emra të tjerë të njohur të institucionit.

Akuzat në adresë të tyre janë administrim dhe përfitim i padrejtë, korrupsion, falsifikim dokumentacioni, etj., të gjitha të lindura pas hetimeve në organizimin e ndeshjeve ndërkombëtare. Sipas të dhënave të para, dyshohet se Vijar u bënte ndere drejtuesve rajonalë, duke përdorur në mënyrë arbitrare fondet monetare të Federatës, për të siguruar mbështetje të pakushtëzuar në rizgjedhjen e tij në postin e presidentit.

Vijar u rizgjodh në muajin maj për herën e 8-të si president i Federatës Spanjolle të Futbollit. Për shumë vite, ai ka qenë një nga figurat më të larta drejtuese në FIFA dhe UEFA. Sidomos te kjo e fundit, ai cilësohej si krahu i djathtë i Mishel Platini dhe provoi të zinte vendin e tij pas dënimit të francezit. Por ai u la në baltë edhe nga grupi i aleatëve më të besueshëm, mes të cilëve bënte pjesë edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili preferoi t’u bashkohej fushatës së Çeferin.