Semin Haxhibuliç është futbollisti më i ri i skuadrës së Teutës. Sulmuesi 20-vjeçar serb ka hedhur firmën në kontratën që e lidh me klubin durrsak duke u bërë përforcimi i radhës për Maganin në projektin e ri të klubit.

Haxhibuliç kishte qenë për provë tek Teuta në javën e kaluar, duke luajtur në miqësoren kundër Laçit, ku edhe arriti të shënonte një gol. Por trajneri Magani fillimisht nuk kishte dhënë “ok” për afrimin e tij, duke mos e cilësuar në nivelin e asaj që kërkonte nga futbollistët e repartit të avancuar.

Futbollisti serb u largua nga Teuta dhe nuk parashikohej që të kthehej. Por duket se durrsakët kanë ndërruar mendje, pasi kanë kthyer lojtarin, duke lidhur sot marrëveshjen e bashkëpunimit me të në ambientet e klubit.