Deputetët e zgjedhur të Partisë Socialiste për qarkun Durrës, Rolant Xhelilaj dhe Klodiana Spahiu, në vijim të turit të bashkëbisedimit me qytetarët, zhvilluan një takim me banorët e lagjes numër 18.
Në fjalën e tij, Xhelilaj tha se “rezultati që ne arritëm në Durrës janë tregues i përpjekjes që bënë Partia Socialiste si forcë udhëheqëse në Durrës, qeveria socialiste, për ju, për qytetin e Durrësit. Ne jemi këtu për të dhënë përgjigje për gjërat që ju mendoni që duhet të jenë në vëmendje të pushtetit vendor, në vëmendjen tonë, në vëmendje të qeverisë”.
Ndërkohë, deputetja Spahiu u shpreh se dëgjesat publike janë një formë e re e komunikimit me qytetarët, post fushatës elektorale, e cila po zbatohet në të gjithë vendin. “Në gjithë Shqipërinë, jo vetëm në qytetin e Durrësit, ka filluar një mënyrë e re e komunikimit me qytetarin, post fushate. Është një mënyrë e re e komunikimit të cilën e ka vendosur kryeministri i vendit dhe në të gjithë vendin po zbatohet me përpikmëri çdo dëgjesë me qytetarët në çdo zonë të Shqipërisë, ashtu siç dhe ne kemi bërë me qytetin e Durrësit dhe me të gjithë njësitë e tjera administrative”, deklaroi Spahiu.
Nga ana e tyre, banorët e lagjes numër 18 vlerësuan reformat e ndërmarra nga qeveria “Rama” në mandatin e saj të parë teksa e vunë theksin te vijimi i këtyre reformave edhe në mandatin e ri qeverisës. Banorët ngritën si shqetësim reformën në administratë duke kërkuar që rekrutimet të bëhen sipas meritës.





