Vendosmëria e Policisë së Shtetit për të asgjësuar drogën e mbjellë nga grupe kriminale në zona malore, duket se ka filluar të japë rezultatet e para. Kjo pasi në zonat të cilësuara “Hot Spote” (më të nxehta), kultivimi i bimëve të kanabisit është në nivele shumë të ulëta.
Këto ditë policia e shtetit është hedhur në një “mësymje” kombëtare, duke synuar asgjësimin e të gjitha gastrave dhe parcela të mbjella me drogë në territorin Shqiptar.
“Ndërhyrja e policisë nuk konsiston vetëm në asgjësimin e bimëve të kanabisit, por dhe në zbulimin e magazinave ku trafikantët kanë grumbulluar sasitë e drogës së tharë të akumuluar gjatë vitit të shkuar”, thanë burimet pranë Policisë së Shtetit. Këto burime konfirmuan për “Shqiptarja.com” se Policia e Shtetit po kuperon në tri plane kombëtare për asgjësimin e drogës.
Plani i parë thuajse ka përfunduar pasi është bërë fotografimi i plotë nga ajri i territorit dhe tashmë janë ndërtuar hartat digjitale, duke evidentuar gastrat e mbjella nga trafikantët. Njëherësh ky plan urdhëronte drejtoritë e qarqeve që të punonin gjatë kësaj kohe me informacionin operativ me qëllim lokalizimin e magazinave dhe personave që fshihnin drogën.
Ky plan ka përfunduar deri në fund të muajit qeshor, ndërkohë që tashmë në zbatim të planit të dytë policia është hedhur në disa operacione të gjera, me synimin e vetëm të asgjësimit të drogës së mbjellë, por edhe të kanabisit të magazinuar që vjet. Rezultat e para të asgjësimit të drogës nga këto aksione kanë ardhur në qarqet e Shkodrës, Vlorës, dhe Korçës.
Ndërkohë policia thotë se nuk do të mjaftohet me kaq, pasi në muajt në vijim, në muajin shtator-tetor, do të verë në zbatim një plan të tretë, duke kryer kontrolle për lëndë narkotike dhe në oborret apo pronat e personave të dyshuar, pasi ka dyshime se një pjesë e drogës tashmë po groposet nën dhe.
Kjo gjë po realizohet nga trafikantët dhe kultivuesit me qëllim shmangien e përgjegjësisë penale. Shumë nga personat e riskuar si kontigjentë kriminalë dhe që janë evidentuar nga policia si kultivues droge, dyshohet se lëndën narkotike e kanë gruposur. Një rast i tillë u zbulua në fshatin Llakatund të Vlorës, ku një banor i fshatit për t'i shpëtuar arrestimit nga policia, kishte vendosur të fuste në dhe thasët me drogë.
Burimet thonë se megjithëse kjo metodë është shkatërruese për drogën, pasi lagështira e tepërt dhe qëndrimi i gjatë nën tokë sjell mykosjen e kanabisit, trafikantët nuk kanë ngurruar të përdorin të tilla forma, për të shpëtuar mallin e tyre nga sekuestrimi.
Ky plan urdhëronte drejtoritë e qarqeve që të punonin gjatë kësaj kohe me informacionin operativ me qëllim lokalizimin e magazinave dhe personave që fshihnin drogën.
Në zonat të cilësuara “Hot Spote” (më të nxehta), kultivimi i bimëve të kanabisit është në nivele shumë të ulëta, raporton “Shqiptarja.com”.





