Milani i papërmbajtshëm në merkato. Pas nëntë blerjeve në merkaton e verës, kuqezinjtë kërkojnë të realizojnë të tjera goditje të mëdha. Objektivi kryesor i “Djallit” është përforcimi i sulmit, aty ku kuotat e Alvaro Moratas duket se janë rritur, me sulmuesin spanjoll që ka kaluar alternativat Belotti dhe Aubameyang.
Telefonata e Leonardo Bonuçit që e kërkon në Milano ka ndikuar te sulmuesi, që refuzoi ofertën e Chelsea-t. Për të realizuar transferimin e Moratas, Milani është gati t'i ofrojë pagë 10 milionë euro neto në sezon, ndërsa nuk përjashtohet që shifra të rritet në orët në vazhdim.
Ndërkohë, edhe Reali i Madridit është pranë akordit me kuqezinjtë për çmimin e kartonit, për shifrën e 70 milionë eurove. Të ardhurat do të përdoren nga Florentino Perez për të nisur sulmin për blerjen e Mbappé, të cilin tashmë Monaco e vlerëson në treg me çmimin rreth 150 milionë euro.
Përveç manovrave të mëdha në sulm, Milani po mendon edhe për mesfushën. Një tjetër yll për “Djallin” është edhe Renato Sanches. Konfirmimi për transferimin e mundshëm të portugezit u dhanë nga Karl-Heinz Rummenigge. Administratori i Bayern Munchen pranoi interesin e italianëve për 19-vjeçarin, megjithatë theksoi se palët ende nuk kanë asnjë akord. Një deklaratë publike, e cila mund të interpretohet si gatishmëri e bavarezëve për të gjetur akordin. Për lojtarin do të nevojitej një tjetër investim i rëndësishëm, pasi vetëm një vit më parë gjermanët shpenzuan plot 60 milionë euro për ta blerë Renato Sanches.