Të shumtë janë të huajt që kanë mbërritur kryesisht në zonën e Shkëmbit të Kavajës për pushime. Janë italianë, polakë, norvegjezë etj. që këtu gjejnë parajsën e pushimeve të lira. Çmime të lira, ushqim i freskët deti, diell dhe qetësi është ajo çfarë kërkojnë e gjejnë pushuesit e huaj këtu.
Roberto është 67 vjeç. Ai është shtetas italian. Së bashku me bashkëshorten dhe disa miq të tij zgjodhën të kalojnë pushimet për 12 ditë në një prej hoteleve me emër në zonën e Shkëmbit të Kavajës.
“Kemi gjithçka këtu dhe hamë mirë. Kemi gjithçka që na duhet për pushimet tona, diellin e nxehtë dhe ushqime të shijshme.”, thotë ai.
Roberto jeton në Poloni prej 28 vjetësh së bashku me bashkëshorten dhe tre fëmijët. Ai thotë se në krahasim me Italinë, këtu në Durrës, në bregdetin e Adriatikut gjeti oferta të mira për të pushuar. Paketa turistike për 12 ditë, për katër persona duke përfshirë gjithçka, ushqim tre vakte, pijet, akododimi në hotel dhe shezlonët kanë kushtuar 2 mijë euro në total.
“Këtu janë të gjitha shërbimet, që kërkojmë. Pëlqejmë shumë ushqimin e freskët, peshkun e kryesisht kocën”, thotë Roberto.
Këtë sezon turistik veror, bregdeti i Durrësit po vizitohet masivisht nga turistë të huaj, kryesisht nga vendet skandinave dhe të Europës lindore. Pothuajse pjesa dërrmuese e hoteleve të ngritura përgjatë vijës bregdetare nga Ura e Dajlanit deri në Malin e Robit janë prenotuar nga pushuesit e huaj, të cilët kanë zbarkuar me anë të agjencive të ndryshme, por edhe me prenotime familjare e personale.
K.H.





