Lulzim Basha gjatë takimeve të tij me demokratët e Shijakut, Durrësit dhe Rrogozhinës tha se Partia Demokratike duhet të vazhdojë rrugën e saj të kauzave të drejta për Shqipërinë, me në krye atë të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Basha tha se zgjedhjet e 25 qershorit dhe mazhoranca që doli prej saj, janë një version i asaj të vitit ‘91, kur qytetarët bëheshin pjesë e votimeve fiktive nën terrorin e Sigurimit të Shtetit dhe fletë rrufetë identifikonin koka turku mes qytetarëve. Për Lulzim Bashën, e vetmja forcë që ka moralin dhe fuqinë për t’i dhënë popullit zgjidhjen që meriton dhe dëshiron është Partia Demokratike dhe plani i saj.

Gjatë takimit në Durrës, Basha nuk lejoi praninë e kamerave në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu”, ashtu siç bënë para tij Astrit Patozi dhe Eduard Selami (lexo këtu). Por sot, përmes një njoftimi të shpërndarë nga zyra e shtypit e PD-së, zbardhet një pjesë e fjalës së kreut të ngrirë të demokratëve.

“Ne kemi ngritur disa kauza të drejta të cilat koha dhe 25 qershori provuan se janë kauzat më të rëndësishme për Shqipërinë sot. E nisëm me kauzën e dekriminalizimit. Me luftën kundër drogës si projekt politik i Edi Ramës, për të mbuluar dështimin me ekonominë dhe për të zhvilluar skemën që përdori, sofistikoi dhe kulmoi më 25 qershor, shit-blerjen masive të votës dhe lekët e drogës. Qytetarët ishin skeduar me metodat e sigurimit famëkeq. Paratë ishin shpërndarë, ata mbaheshin nën vrojtim me ndihmën e një shteti të bërë njësh me krimin, administratën, shërbimet, ndihmën sociale, subvencionet, legalizimet, me mediat të gjitha të kapura dhe të vëna në shërbim të pushtetit dhe gjithçka tjetër. Në këto kushte u zhvilluan zgjedhjet e 25 qershorit. Në këto kushte mazhoranca që ka dalë nga 25 qershori është një mazhorancë fiktive. Nuk reflekton vullnetin e njerëzve aq sa e reflektonte ajo e ‘91-shit, për rrethana të njëjta apo të ngjashme. Reflekton frikën, dëshpërimin, reflekton varfërinë që këta e theluan. Ne jemi te vetmit që kemi moralin, forcën, kurajën, vizionin dhe planin për ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza. Nuk ka dritë në fundin e tunelit të Edi Ramës”, tha Basha.

Lulzim Basha theksoi se vetëm PD ka moralin dhe vlerat per ta çuar përpara Shqipërinë, duke zbuluar edhe se ç'do të ndodhë me listat e deputetëve këtej e tutje.

“Kur i dhamë shqiptarëve konceptin e Republikës së Re, që në thelb është një raport i ri midis qytetarit dhe pushtetit, me zgjedhje të drejtpërdrejta të deputetëve, me zvogëlim të numrit të deputetëve, me ndryshim të balancës kushtetuese midis institucioneve, fuqizimin e qytetarit, eliminimin e partitokracisë dhe rikthimin te vlerat demokratike për të cilat u ngritëm 25 vjet më parë, kjo do të ndodhë edhe brenda Partisë Demokratike. Fuqizimi i anëtarit do të thotë vendimmarrje një anëtar një votë, siç u shpreha kur dorëzova listën e deputetëve. Kjo duhet të jetë hera e fundit që lista dorëzohet nga kryetari. E që këtej e tutje duhet të jetë produkt i një procesi transparent gjithpërfshirës me standarde dhe konkurrues për të evidentuar me votën e çdo anëtari të Partisë Demokratike, më të mirët dhe për t’u bashkuar rreth tyre në betejë”, deklaroi Lulzim Basha.