Samir Ujkani nis zyrtarisht një eksperiencë të re në Itali. Portieri i Përfaqësueses së Kosovës ka nënshkruar për skuadrën e Cremoneses që ka blerë kartonin e tij nga Genoa. Lajmi bëhet i ditur në faqen zyrtare nga klubi lombard nëpërmjet një komunikate.
“Ujkani, portieri i lindur në Vushtrri në vitin 1988 u ble nga Genoa. Pasi mbërriti në Itali nga Anderlecht debutoi në Serie A me Palermon dhe ka milituar në kategorinë e më të mirëve për 5 sezone duke veshur edhe fanellën e Novaras, Chievo Veronas dhe Genos. Sezonin e shkuar mbrojti katërkëndëshin e Pisas në Serie B”, shkruan klubi lombard në komunikatën zyrtare.
Në këtë mënyrë, Ujkani do të vazhdojë të aktivizohet në Serie B, pasi Cremonese e siguroi të drejtën e ngjitjes në divizionin e dytë të futbllit italian gjatë sezonit të fundit.