Ardit Shehaj është përforcimi më i fundit i Teutës për sezonin e ri. Sulmuesi ka firmosur këtë të premte një kontratë 2-vjeçare me skuadrën durrsake duke u bashkuar menjëherë me ekipin e drejtuar nga Gugash Magani.

26-vjeçari, që sezonin e kaluar ishte pjesë e Flamurtarit bashkohet me Teutën pas aventurës së tij me vlonjatët, ku luajti sezonin e kaluar në 33 ndeshje, 20 prej të cilave si titullar duke shënuar dhe dy gola në dy fitore shtëpiake të kuqezinjve 1-0 ndaj Laçit dhe 5-0 ndaj Luftëtarit.

Shehaj pritet të jetë një vlerë e shtuar për repartin e avancuar të durrsakëve duke qenë se është një lojtar me përvojë në Superiore, ku luan rregullisht prej sezonit 2008/2009, teksa ka mundur të fitojë dhe 1 Kupë të Shqipërisë. Shehaj është një njohje e vjetër e Maganit që e ka drejtuar dhe në të kaluarën te Flamurtari, në dy raste dhe kjo ka qenë dhe një arsye më tepër që e ka shtyrë trajnerin e Teutës të firmosë me sulmuesin 26-vjeçar.

“Jam i kënaqur që do të bashkëpunoj sërish me trajnerin Magani. Shpresoj që të justifikoj besimin e klubit”, deklaroi sulmuesi që mbylli sezonin te Flamurtari.