Pa mbushur 48 orë nga takimi që bëri me demokratët e Durrësit grupi i Astrit Patozit, këtë të premte dy kandidatët për kreun e PD-së, Eduard Selami dhe Lulzim Basha kanë mbërritur në Durrës, duke shfaqur platformat e tyre elektorale për drejtimin e PD-së në katër vitet e ardhshme.
Kandiati Eduard Selami për 45 minuta i ka mëshuar idesë se PD mund të dalë nga kriza vetëm duke rikthyer kritikët dhe duke pranuar mendimin ndryshe. Selami tha se dhe ai vetë mban përgjegjësi për situatën ku gjendet partia. Ish-kryetari i PD-së, Eduard Selami, renditi pikat e programit të tij dhe u zotua se do të kthejë meritokracinë brenda PD-së madje duke lejuar dhe zërat kundër.
Ai po ashtu duke folur për listat e deputetëve, theksoi se për zgjedhjen e tyre dhe të kryebashkiakëve, nën drejtimin e tij nuk do të jenë ekskluzivitet i kryetarit, por i degëve të partisë. Përvoja e fituar në perëndim, u shpreh Selami, e bëjnë atë një kryetar demokrat që respekton kontributet në parti dhe rregullat e lojës. Selami beson se do ta fitojë garën për kreun, pasi sipas tij, Basha tregoi se është i paaftë për ta sjellë PD-në në pushtet, madje i thelloi humbjet e saj.
Gjatë takimit publik ku u lejuan edhe mediat të ishin të pranishme, pyetjet e publikut u drejtuan në faktin sse përse Selami e la vendin dhe iku në USA, ndërsa vendi ishte në një pikë kritike të tij.
Por krejt ndryshe ka ndodhur me Lulzim Bashën. Mediave iu komunikua se materialet filmike do të shpërndahen nga zyra e shtypit të PD-së, dhe nuk ishte e nevojshme që të ishin të pranishëm, pasi takimi do të zhvillohej pa praninë e mediave në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu”.
Ndjekim materialin.
K.H.





