Me sloganin “Askënd për të humbur, gjithkënd për të fituar”, nisi dje nga Durrësi lëvizja brenda Partisë Demokratike me qëllim sqarimin e elektoratit për gjendjen që po kalon kjo forcë politike pas zgjedhjeve dhe ringritjen e saj.

Në sallën e pallatit të kulturës “Aleksandër Moisiu” kanë qenë të pranishëm një numër i madh simpatizantësh demokratë në mbështetje të lëvizjes që ka nisur grupi anti-Basha.

Patozi, Besnik Mustafaj, por edhe anëtarët e tjerë të PD-së, e kanë cilësuar si farsë garën dhe kanë kërkuar që të ndërpritet. E ndërsa salla ishte plot, Mustafaraj u shpreh se vendi sot ka nevojë për opozitë, por mbështetja nga Durrësi është një dritë në fund të tunelit.

Ndërsa nismëtari i kësaj lëvizjeje, Astrit Patozi, u shpreh se nga Durrësi nis fitorja ose humbja e Partisë Demokratike. Ai i ka bërë thirrje Sali Berishës dhe të gjithë demokratëve të tjerë që të flasin tani, pasi heshtja është rrethim me të keqen.

“Nga Durrësi nis fitorja ose humbja e PD. Ne po trajtohemi si kundërshtarë të Bashës. Ne jemi kundërshtarë të Edi Ramës. Ne humbëm në zgjedhje për shkak të lidershipit të PD. I bëj thirrje Sali Berishës dhe të gjithë demokratëve, që të flasin tani me fjalë dhe me vepra. Ka ardhur një moment që heshtja është rreshtim me të keqen. Ju duhet të mbroni partinë dhe të ndalni farsën e 22 korrikut. Dhe nëse kjo nuk ndodh, përgjegjësia nuk bie vetëm mbi Bashën, por edhe mbi ne. Dhe ne s’do meritojmë më shumë se një humbës si Basha”, deklaroi ai.

Grupi kundër Lulzim Bashës në Partinë Demokratike i drejtuar nga Astrit Patozi kërkon mbledhjen e Këshillit Kombëtar të kësaj force politike dhe anulimin e zgjedhjeve të 22 korrikut.

Platforma me 11 pika e propozuar nga grupi anti-Basha:

-Të jenë aksionerë të gjithë anëtaret e PD sipas vlerave dhe meritokracisë

-Autoriteti i kryetarit të sanksionohet me statut dhe të jenë forumet me peshë më të madhe në vendimmarrje

-Të ketë përfaqësim të forumeve

-Statuti të jetë i shenjtë, të mos shkelet asnjë nen

-Të përcaktohet në statut, në rast humbjeje të zgjedhjeve kryetari të largohet automatikisht

-Shndërrimi i PD-së në një model për shoqërinë shqiptare

-Rikthim e respektim i vlerave të PD-së në vite, rikthim i stemës, simbolit etj.

-Bashkimi i gjithë demokrateve nga viti 1990 e pas, ftesë e sinqertë për ta

-Bashkim i PD-së sot me sloganin “Askënd për të humbur”

-Të kthejmë PD-në në shtëpinë e lirë të së djathtës shqiptare

-Shndërrimi i PD-së në tempullin e opozitës së vërtetë shqiptare