Drejtuesit e Ujësjellësit në Durrës duke parë situatën kritike në të cilën gjendet këtë verë zona bregdetare, i janë drejtuar për ndihmë ujësjellësit të Lushnjës e më konkretisht puseve të Çermës, të vëna në funksion ditët e fundit. Nga puset e Çermës, Ujësjellësi i Durrësit pret të freskojë me ujë të pijshëm të gjithë zonën bregdetare nga Shkëmbi i Kavajës, por edhe plazhin tradicional. Është Geraldo Dauti, përgjegjësi teknik i drejtorisë së Ujësjellësit të Durrësit, që në përgjijgje të problematikës së ngritur nga pushuesit tha se “pas tharjes së Manskurisë, plazhi do të furnizohet me ujë të pijshëm nga puset e Çermës të Lushnjës javën e ardhshme“.
Pjesa e zonës së Shkëmbit të Kavajës ishte furnizuar nga Manskuria, e cila nuk ka më ujë. Tani jemi me fat sepse është investimi i ri i puseve të Çermës që është vënë në funksion. Investimi i Çermës garanton furnizimin me ujë të të gjithë bregdetit. Sasia është katërfishuar dhe zona turistike do të ketë katërfishim të sasisë së ujit. Projekti nga Lushnja është gati dhe pritet të nisë së funksionuar javën e ardhshme. Pritet që të kemi përmirësim të situatës” pohoi Dauti.
Sipas Geraldo Dautit, projekti i funizimit me ujë të pijshëm nga puset e Çermës, pritet të furnizojë plazhin e vjetër të Durrësit dhe të zonës së Përroit të Agait duke i dhënë ndihmë edhe qytetarëve të Durrësit njëkohësisht. “Zona e plazhit furnizohet nga Fushë Kuqja. Plazhi do të furnizohet nga Çerma dhe ujin e plazhit do e kalojmë në qytetin e Durrësit” tha Dautaj.
Jo vetëm plazhi, por edhe qyteti i Durrësit në këto ditë të nxehta po furnizohet me orar të reduktuar.
K.H.





