Ashtu siç bëri të ditur edhe më herët DurrësLajm, Astrit Patozi do të zhvillojë në orën 19.00 të së mërkurës në Durrës, në pallatin e kulturës, një takim me demokratët e qytetit bregdetar.
Në një postim të tij në Facebook, Patozi njofton nisjen nga Durrësi të asaj që ai e quan “Bashkëbisedim me demokratët” dhe njëkohësisht kërkon që të gjithë së bashku të kontribuojnë për bashkimin dhe ringritjen e partisë më të madhe opozitare.
Ndërkohë po sot, ish-kryetari i PD-së Durrës, Igli Cara bëri një deklaratë të fortë gjatë së cilës nënvizoi se të refuzojë ta njohë Lulzim Bashën kryetar të Partisë Demokratike nëse farsa e zgjedhjeve brenda partisë do të përmbyllet në 22 korrik.
Postimi i Astrit Patozit
NESËR NË DURRËS "BASHKËBISEDIM NE DEMOKRATËT"
Nesër nisim në Durrës "bashkëbisedimin me demokratët". Së bashku me disa kolegë të tjerë do të jemi në orën 19 00, në Pallatin e Kulturës "Aleksander Moisiu".
Çfarë po ndodh në Partinë Demokratike dhe si mund të bashkohet e ringritur sa më shpejt ajo?
Është ky shqetësimi i madh i anëtarëve dhe simpatizantëve të PD, që kërkon zgjidhje, ndaj edhe mirëpritet kontributi i gjithësecilit. Vetëm bashkë mund t'ia dalim.





