Një shtetas turk është arrestuar në portin e Durrësit, pasi ka tentuar të korruptojë punonjësin e Policisë Kufitare, duke i vendosur në brendësi të pasaportës 100 €, në mungesë të një vize për të kaluar në shtetin italian.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin Durrës ndaluan shtetasin Mursel DAGLI 32 vjeç, banues në Turqi.
“Më datë 11.07.2017, pasi është paraqitur në SPKM Durrës për të udhëtur në Itali me tragetin e linjës Bari – Durrës, në momentin e dhënies së pasaportës kontrollorit, ka tentuar ta korruptojë duke vendosur në brendësi të pasaportës shumën prej 100 €.
Shtetasi i mësipërm nuk kishte vizë për të kaluar në shtetin Italian”, sqaron policia.
Drejtoria Rajonale për Kufirin dhe Migracionin Durrës thekson përmes një njoftimi për shtyp se është e vendosur të luftojë korrupsionin dhe nuk bëhet palë me të.
Materialet i kaluan Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës për veprime të mëtejshme për veprat penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.





