Goditet një tjetër tentativë e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike në Portin e Durrësit. Arrestohet në flagrancë drejtuesi i një autobusi, i cili kishte fshehur në mjet 6.5 kg marijuanë, me qëllim trafikimin e saj drejt Italisë.

Operacioni u krye mbrëmjen e djeshme, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, ku u arrestua shtetasi Fatbardh Kokomeci 54 vjeç, banues në Tiranë.

Policia njofton se “Më datë 08.07.2017, gjatë kontrollit të ushtruar në Pikën e Kalimit Kufitar Port Durrës, në mjetin autobus, me drejtues shtetasin F.Kokomeci, pas një analize risku të hollësishme dhe verifikimeve të tjera speciale nga Specialistët e vijës së dytë të Kontrollit në pjesën e pasme, pas sediljeve të fundit u gjet lëndë narkotike marijuanë.

Në pjesën e pasme të autobuzit, pas sediljeve të fundit u gjetën dhe sekuestruan 5 pako me peshë rreth 6.5 kg lëndë narkotike e dyshuar e llojit marijuanë”.

Specialistët dhe grupi hetimor vijojnë punën për kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë rrjet kriminal.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Krimeve të Rënda Tiranë për veprime të mëtejshme për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” e mbetur në tentativë.