Policia Rrugore njofton se aksi rrugor Tiranë – Gjiri i Lalzit e anasjellas është i mbingarkuar nga automjetet, për shkak të fluksit të lartë.

“Janë të lutur drejtuesit e automjeteve të cilët kanë destinacion të ndryshëm nga Gjiri i Lalzit për të mos u bllokuar dhe për të lehtësuar sadopak trafikun të zgjedhin aksin Tiranë – Ndroq – Plepa – Durrës”, thuhet në njoftim.

Sipas Policisë, në akset rrugore Lezhë- Shëngjin, Shkodër – Velipojë; Fier dhe Vlorë situata e trafikut është mbi normalen e javës, por nuk ka probleme.

Gjatë paradites së djeshme, kryesisht në orët e para të mëngjesit, në rrugën Tiranë– Maminas, ka pasur fluks të madh mjetesh nga kryeqyteti për në drejtim të Durrësit dhe të Gjirit të Lalzit. Policia njoftoi dje se kanë ndodhur 4 aksidente në këtë aks rrugor, me dëme materiale dhe një aksident me pasojë plagosjen e një personi. Kryerja e veprimeve në këto aksidente ka shkaktuar vonesë të përkohshme dhe bllokim të trafikut.

Nga ana tjetër, Policia tha dje se është konstatuar trafik normal në Shkodër, Durrës e Lezhë. Edhe në brendësi të zonave turistike, plazhet e Divjakës, plazhet e zonave të Himarës dhe të gjithë bregut të Jugut, Sarandës, të Shëngjinit janë nën kontroll normal të shërbimeve të Policisë Rrugore. Ndërsa Policia njoftoi se në pjesën e dytë të ditës pritet një rëndim i trafikut e, për këtë arsye, ka marrë masa shtesë për përballimin e fluksit të lëvizjes.