Koço Kokëdhima ka qenë i ftuar ditën e djeshme në emisionin “Kjo Javë”, në News 24. Ish-deputeti i PS-së ndër të tjera ka thënë se pjesë e marrëveshjes së 17 majit mes PS-së dhe PD-së është dhe bashkëqeverisja.
Si e lexuat rezultatin e zgjedhjeve të 25 qershorit?
25 qershori shënoi zgjedhje pa asnjë progres. Ishin zgjedhjet më të këqija se të shkuarat. Provoi që kishim shumë të drejtë për t'i refuzuar këto zgjedhje. Duke qenë zgjedhje që do të administroheshin nga PD dhe PS, Zgjidhja zgjodhi të bojkotojë zgjedhjet.
Sa mendoni se e dëgjuan thirrjen tuaj?
Ne s’kemi bërë fushatë për të vendosur “Z” në fletën e votimit, por kemi bërë një fushatë që të bojkotoheshin zgjedhjet. Sa më i thellë bojkoti, aq më shpejt do të vijë reformimi elektoral në Shqipëri.
74 mandate për zotin Rama, a ishte në pritshmëritë tuaja?
Rama mund të ndihet edhe më keq nga ky ekzagjerim i deputetëve. Sepse në këto zgjedhje luajtën rolin e tyre blerjet e votave. Edhe pse me 74 mandate nuk do të qeverisi dot e vetme. Nuk pres të krijojë stabilitet në Shqipëri. Unë mendoj që do të bashkëpunojë me Partinë Demokratike. Marrëveshja e 17 majit nuk i shërbeu vendit, nuk i përmirësoi standardet e zgjedhjeve. Ishte një marrëveshje e detyruar për opozitën, pasi u izolua në çadër, u izolua nga ndërkombëtarët. Marrëveshja ndihmoi vetëm Partinë Socialiste. Do ishte absurde të ishte një marrëveshje veç për 6 ministrat teknikë. Nëse ka një arsye serioze do të jetë një bashkëqeverisje.





