Tentativat e vetëvrasjes duket se nuk kanë të ndalur në vendin tonë. Një tjetër shtetas ka tentuar t’i japë fund jetës duke i ngulur thikën vetes. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në Vlorë.
Sipas policisë, “Më datë 08.07.2017, rreth orës 03:30, në Spitalin Rajonal Vlorë, ka shkuar i dëmtuar me mjet prerës shtetasi Ç.F., 68 vjeç, banues në Vlorë”.
Nga hetimet e kryera të policisë, dyshohet se ky shtetas ka dëmtuar veten me mjet prerës “thikë” në ambientet e banesës së tij në lagjen “Isa Boletini” Vlorë.
Policia bën me dije se nga deklarimet e familjarëve, dyshohet se ky shtetas e ka kryer aktin në depresion e sipër pasi vuan prej kohësh nga skleroza.
Personi i dëmtuar ndodhet në ambientet e spitalit, në gjendje shëndetësore jashtë rrezikut për jetën.





