Asfaltohet rruga tek “Taulantia”, merr fund trafiku i rënduar në këtë segment. Shtrimi me asfalt i një korsie të rrugës “Taulantia”, është mirëpritur nga të gjthë qytetarët dhe drejtuesit e mjeteve në Durrës.

Gjatë kësaj fundjave ka nisur asfaltimi i rrethrrotullimit të ndërtuar në hyrje të shëtitores “Taulantia” para nënkalimit, dhe njëkohësisht i segmentit rrugor në krah të shëtitores ku u bë edhe zgjerimi i rrugës. Asfaltimi i këtij segmenti i cili iu shtua rrugës ekzistuese, pasi u zhvendosën palmat e rrugës, pritet t’i japë frymëmarrje kësaj zone ku trafiku rrugor është problemi më i madh i të gjithë banorëve të zonës, por edhe qytetarëve që çdo ditë vijojnë rrugën në drejtim të Currilave.

Punimet që u bënë për projektin “Veliera” me ndërtimin e nënkalimit shtruan si domosdoshmëri zgjerimin e rrugës dhe asfaltimin e saj.

Më herët, kreu i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka thënë se në këtë segment do të hiqet parkimi i mjeteve në anë të rrugës për të shmangur trafikun e rënduar që krijohet, por  në pjesën ku është bërë zgjerimi, gjatë netëve të fundit shoferët e kanë shfrytëzuar për parkim mjetesh segmentin e rrugës të hapur rishtaz.

K.H.