Ashtu siç njoftoi pak pas fitores së 74 mandateve parlamentare, kryeministri Rama pritet të nisë në të gjithë Shqipërinë turin e dëgjesave publike.
Në të njëjtën linjë me kreun e qeverisë është shprehur pak pas fitores edhe kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, që në mesazhin e tij të parë pas fitores e cilësoi përgjegjësi të madhe fitoren historike të PS-së në qarkun e Durrësit.
Në një postim të bërë sot në profilin e tij në Facebook, Dako fton të gjithë qytetarët durrsakë dhe jo vetëm të “mos ngurroni të komentoni, sugjeroni, kritikoni për qeverisjen që doni në rang kombëtar dhe nivel qarku, për problematikat që prisni t'i adresohen qeverisë së re dhe prioritetet kryesore sipas jush, për institucionet shtetërore në qark dhe punonjësit e drejtuesit e zyrave në shërbimin tuaj”.
Menjëherë pas publikimit të postimit, Dako ka marrë komente të shumta nga qytetarë të ndryshëm, që krahas urimeve për fitoren kanë nisur të parashtrojnë menjëherë problematikat e zonave të tyre.
Në komentet e ndjekësve të kryebashkiakut vihet re se ndër shqetësimet kryesore mbetet furnizimi me ujë të pijshëm, problematika e theksuar në tregun e fruta-perimeve në Durrës për shkak të rrugëve të bllokuara nga ambulantët, djegia e mbeturinave që ndot ajrin e qytetit bregdetar, apo problematikat me investimet e munguara në disa shkolla të qytetit.
Më poshtë do të gjeni shqetësimet e ngritura nga qytetarët në adresë të kryebashkiakut Dako.
Postimi i Vangjush Dakos
Bashkëqeverisja me Njerëzit për Shqipërinê që duam Për Durrësin që duam – Me mirënjohje për të gjithë ata që votuan dhe respekt për të gjithë ata që nuk na votuan.
Ju lutem të mos ngurroni të komentoni, sugjeroni, kritikoni për qeverisjen që doni në rang kombëtar dhe nivel qarku, për problematikat që prisni t'i adresohen qeverisë së re dhe prioritetet kryesore sipas jush, për institucionet shtetërore në qark dhe punonjësit e drejtuesit e zyrave në shërbimin tuaj.
Në këtë faqe do të publikohet vazhdimisht edhe vendi, edhe ora e dëgjesave publike me ju, ku jeni të ftuar të merrni pjesë sipas dëshirës e mundësisë suaj. Në 25 qershor kemi marrë një votë kuqezi dhe së bashku, duhet të qeverisim në katër vitet e ardhshme me një mandat kuqezi.





