Shtimi i valës së të nxehtit në të gjithë qarkun e Durrësit ka vënë para detyrave konkrete shërbimin zjarrfikës, i cili përballet me jo pak problematika të shtuara gjatë sezonit veror. Ngritja e një stacioni në zonën e Gjirit të Lalzit, aty ku gjendet edhe fondi pyjor më i madh i rrethit të Durrësit është kthyer në një domosdoshmëri, për të mbajtur nën kontroll por edhe për të ndërhyrë shpejt në rast zjarri të mundshëm në këtë zonë.

Oficerët e shërbimit zjarrfikës në Durrës deklarojnë se së bashku me shërbimin zjarrfikës në Gjirin e Lalzit, në dispozicion është edhe një automjet ambulance. Fatmir Taraj, oficer i shërbimit zjarrfikës, tha se rastet e zjarreve deri në këtë fillim korriku kanë qenë sporadike, por janë mirëmenaxhuar në sajë të masave të ndërmara.

Në dispozicion të shërbimit zjarrfikës për qytetin bregdetar është vënë edhe një ambulancë për t’iu ardhur në ndihmë qytetarëve në rast nevoje mjekësore. Vatrat e zjarrit janë lehtësisht të krijueshme sidomos nëpër zonat pyjore, ndaj Taraj iu bën thirrje qytetarëve të jenë të kujdeshëm dhe shumë vigjilentë për të lajmëruar që në rastin e parë të shfaqjes së një zjarri shërbimin zjarfikës.

K.H.