Dëshmitari i mbrojtur, Ylvi Beqja, përfundoi dje përballjen në sallën e gjyqit me Emiljano Shullazin dhe katër të bashkëpandehurit e tij, të cilët i ka kallëzuar për “gjobëvënie”. Ndryshe nga seanca e kaluar kur rrëfeu detaje të hollësishme për Gjykatën, dje, Beqja “qepi gojën” duke iu shmangur pjesës dërrmuese të pyetjeve, shkruan “Panorama”.
Përgjatë dy orëve të seancës, dëshmitari i pyetur në cilësinë e të bashkëpandehurit në një procedim të lidhur dha më së shumti përgjigjen “nuk më kujtohet”. Nga ana tjetër theksoi se u qëndronte deklarimeve të tij të mëparshme. “Humbja e kujtesës” së dëshmitarit solli nervozizëm te të pandehurit.
“Ky vjen e na akuzon. Ne po bëjmë burg dhe ky thotë ‘s’më kujtohet’?! Do bëjmë gjyq, a ta lemë fare”, tha herë pas here i revoltuar i pandehuri Shullazi.
DEBATI
Ylvi Beqja: Në seancën e kaluar, në një moment që trupi gjykues u largua nga salla, unë u fyeva nga ana e të pandehurit Emiliano Shullazi. Kërkoj ndjekje penale për fyerje në publik, nga ana e tij.
Gjykata: Për të bërë një kallëzim duhet të drejtoheni në organet kompetente. Ju lutem, avokat Meci të vijojmë me pyetjet.
Avokati Vladimir Meçi: Me çfarë biznesi jeni marrë?
Beqja: Është gjë personale. Refuzoj t’i përgjigjem pyetjes.
Avokati: Shitjen e ish-hotel “Vollga”-s me çfarë akti e keni bërë?
Beqja: Bazuar në një prokurë të ardhur nga Arabia Saudite.
Avokati: Në kontratat e shitjes është përmendur kjo prokurë?
Beqja: Nuk më kujtohet.
REVOLTA E SHULLAZIT
Shullazi, gjykatës: Zoti kryetar, do të bëjmë gjyq këtu, apo më kujtohet, s’më kujtohet? Do marrim përgjigje ne? Ky vjen këtu dhe më akuzon mua dhe pastaj ‘më kujtohet, s’më kujtohet’. Mirë Prokuroria që e hapi krahun, por edhe ju tani, kështu do të bëni? Nuk po e pyesim a ka pirë kafe mëngjesi, por sa lekë më paska dhënë si gjobë.
Beqja, gjykatës: Zoti kryetar, mos e lejoni të më intimidojë. Keni faj ju zoti kryetar që e lejoni të më pyesë për koburen e nxehtë apo të ftohtë. Nëse i ka t’i tregojë ai koburet.
Shullazi, Beqjes: Ato që t’i thashë unë, t’i them prapë. T’i them edhe me noteri po deshe. Nuk po i përsëris tani, se janë ca zonja këtu, por po deshe, t’i them.
/Panorama/





