Ish-deputeti Astrit Patozi, ditën e djeshme bëri me dije se do të kandidonte për kryetar të PD-së, pas humbjes që kjo parti pati në zgjedhjet e 25 qershorit.

Pas shpalljes së kandidaturës, Patozi ka reaguar në profilin e tij në ‘Facebook’, ku ka dhënë një mesazh për të gjithë demokratët.

Ai shprehet se e vetmja shtysë që ka pasur për të garuar për kreun e PD-së ka qenë ringritja e kësaj partie, ndërsa bëri thirrje që te ketë një garë të ndershme.

Statusi i Patozit

ASKËND PËR TË HUMBUR, GJITHËKËND PËR TË FITUAR

Të nderuar miq,

Gjatë këtyre ditëve, e sidomos sot, kam marrë shumë mesazhe mbështetjeje.

Në pamundësi për t'ju kthyer të gjithëve përgjigje, ju falenderoj nga zemra për inkurajimin.

Më vjen mirë që e mendoni si unë nevojën e madhe për ringritjen e Partisë Demokratike.

Është e vetmja shtysë që më frymëzon mua dhe shumë kolegë të tjerë, të cilëve u jam shumë mirënjohës, në këtë përpjekje. Kam vetëm një thirrje për ju të gjithë:

Ky është një konkurrim brenda nesh, që ka vetëm një synim, garën e ndershme dhe bashkimin e Partisë Demokratike. NUK KEMI ASKËND PER TË HUMBUR, DHE DUHET TË MARRIM GJITHËKËND PËR TË FITUAR.

Me shumë respekt dhe konsideratë ASTRIT PATOZI