Tashmë kur po mbushet një javë nga zgjedhjet e 25 qershorit dhe fituesit e humbësit janë qartësuar, madje janë bërë sa e sa analiza të shkaqeve që sollën fitoren apo humbjen e tre partive kryesore PS, PD dhe LSI ende ka aq shumë për të thënë për këto zgjedhje, rezultati i të cilave surprizoi jo pak votuesit, por dhe ata që bojkotuan procesin.
Jemi në vitin 2017 dhe përveç modelit “One man show” që aplikoi secili lider i tre partive kryesore politike, një garë e vërtetë u bë edhe në rrjetet sociale.
Edi Rama duket se është mjeshtri i vërtetë i realitetit virtual, pasi me dhjetëra lajme të batutave të tij këmbyer me ndjekësit kanë bërë xhiron e portaleve dhe agjencive të lajmeve.
Por sa u shfrytëzuan rrjetet sociale nga kandidatët e tre partive kryesore politike në Durrës për të mbledhur më shumë mbështetës, për të shpalosur programin e partive të tyre apo për të pasqyruar aktivitetet elektorale.
DurrësLajm bëri një vëzhgim të shpejtë të profileve zyrtare të kandidatëve të qarkut Durrës në rrjetin social Facebook.
Edhe tashmë kur procesi ka thuajse një javë që është mbyllur, profilet zyrtare të tyre dominohen nga simbolet e fushatës.
Fotot që publikon më poshtë DurrësLajm e tregojnë më së miri këtë gjë.
Profilet e Rolant Xhelilajt, Klodiana Spahiut, Ilir Ndraxhit, Rrahman Rrajës, Lefter Kokës, Flamur Gjuzit etj ishin tërësisht në funksion të fushatës elektorale.
Në kampin demokrat, kandidatja e dytë në listë, Fatbardha Kadiu ka bërë të njëjtën gjë si rivalët e saj të PS dhe LSI.
Po kështu edhe kandidati Agron Duka, që mbeti jashtë Kuvendit. Në profilin e tij, Duka ka vendosur logon e Partisë Agrare Ambientaliste, të cilën e drejton, ndërsa në profilin e Partisë Agrare Ambientaliste-qarku Durrës, dominon simboli i PAA-së dhe ftesa për të votuar në fletën e votimit nr.6, Partinë Demokratike.
I vetmi që bën dallim nga të gjithë këta kandidatë është kryesuesi i listës së PD-së në Durrës dhe kryetari i komanduar i saj, Oerd Bylykbashi.
Megjithëse pasqyronte rregullisht në profilin e tij në Facebook takimet me elektoratin e djathtë, Bylykbashi nuk ka ekspozuar në profil simbolin udhëheqës dhe logon e kësaj fushate të liderit Basha, Republikën e Re.
Krahas fotos së Bylykbashit në profilin e tij vihet re logoja e vjetër e Partisë Demokratike, për heqjen e së cilës lideri Basha u kritikua ashpër nga figurat e njohura të PD-së.
Ndoshta Bylykbashi ka menduar se Republika e Re mund të ishte një realitet jetëshkurtër dhe PD do të kthehet sërish tek simbolet e saj historike?
Kësaj vetëm kreu i komanduar i PD-së së Durrësit mund t’i kthejë përgjigje…
M.P.





