Ish-drejtori i Arkivit në Ministrinë e Brendshme, studiuesi Kastriot Dervishi ka publikuar një dokument të arkivit të ministrisë së Brendshme nga mësohet për krimet ordinere në kohën e komunizmit, por një prej tyre në komunikatën e mëposhtme është një krim i llahtarshëm. Bëhet fjalë për përdhunimin e një 22-vjeçareje, punëtore e fabrikës së duhanit të Durrës nga 5 ushtarë të repartit ushtarak 5101. Ngjarja e rëndë mësohet të ketë ndodhur në datë 8 korrik 1966.
“Shumë herë, nga persona ithtarë të regjimit komunist, apo nga të tjerë që nuk e kanë njohur atë kohë, flitet për “qetësinë e kohës së Enverit”. Ajo kohë prodhoi kriminalitetin më të paparë në historinë e Shqipërisë, sepse krijoi “njeriun e ri”, kafshën më të llahtarshmshme të atij regjimi.
Nga leximi i një prej dokumenteve më të rëndësishme të Ministrisë së Punëve të Brendshme si komunikata ditore, e nisur nga tetori i vitit 1949, kam arritur në përfundimin se kriminaliteti i lartë ka qenë një tjetër “dhuratë” që Partia e Punës i la Shqipërisë. Natyrisht ky kriminalitet nuk mund të mbyllej me rubinet në vitin 1991.”, shkruan Dervishi.
Bashkëlidhur mund të lexoni komunikatën ditore operative të datës 11.7.1966 të MPB-së, të cilën e sjell për shembull. Emrat e të përmendurve janë fshirë, sipas dispozitave të ligjit të arkivave.
Në komunikatën ditore lexohet se ngjarja është konsumuar në afërsi të Urës së Dajlanit, rreth orës 20.00 të mbrëmjes së 8 korrikut 1966.
Në komunikatë shkruhet se vajza u ngacmua në fillim nga brigadier Rakipi i repartit të bojaxhinjve Durrës. I njohur si vagabond, Rakipi tentoi të përdhunonte vajzën, por kjo e fundit reagoi. Aty mbërritën 4 ushtarë, që në vend që të ndihmonin 22-vjeçaren, ranë në marrëveshje me Rakipin, i cili u largua, dhe e rrahën të renë dhe e përdhunuan me rradhë. Më pas e çuan në repart, ku e përdhunoi edhe një shok i tyre, ushtari roje Agim.
Vajza është gjetur të nesërmen nga një shoqe e saj në rrugë, pasi nga të rrahurat e rënda nuk mund të ecte.
Prokuroria e asaj kohe ndërkohë ka arrestuar 5 ushtarët, me origjinë nga Fieri, ndërsa është ndaluar edhe brigadieri Rakip.





